Porosia që përcolli mbrëmë kancelari gjerman: Njohja e Kosovës është pjesë e dialogut me Serbinë
Pas takimeve të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Berlin, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se përparimi në dialogun Kosovë-Serbi është i një rëndësie "të madhe" për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore, ashtu si dhe për integrimin evropian të të dyja vendeve.
Lajme
Duke folur pas takimit me Kurtin, Scholz tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve.
Ai tha se marrëveshja e ardhshme Kosovë-Serbi do të ketë shumë detaje, por se do të përfshijë edhe njohjen reciproke.
“Objektivi i dialogut të Brukselit [midis Kosovës dhe Serbisë] është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme, që u hap të dyja vendeve perspektivën e [anëtarësimit në] Bashkimin Evropian dhe kontribuon për stabilitetin rajonal”, tha Scholz.
Kurti, në anën tjetër, tha se “njohja reciproke duhet të jetë në qendër dhe jo në fund të procesit” të negociatave me Serbinë.
Ai tha se Kosova është “proaktive dhe konstruktive” në dialog dhe se po bën propozime që janë në përputhje me vlerat e Bashkimit Evropian.
“Ne jemi të përkushtuar për të arritur rezultate konkrete shpejt dhe në bashkëpunim të plotë”, tha Kurti në konferencën e përbashkët për media me kancelarin gjerman.
Scholz tha se është e rëndësishme që, në kohën kur Rusia po bën luftë në Ukrainë, Prishtina dhe Beogradi të punojnë që t’i zgjidhin mospajtimet.
Ai, po ashtu, u zotua se do të punojë me partnerët e BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Kancelari gjerman paralajmëroi edhe një vizitë në Kosovë, në kuadër të një turneu në shtetet e rajonit të Ballkanit.
Pas takimit me Kurtin, ai takoi edhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Në konferencën e përbashkët për media me të, Scholz tha se të gjitha marrëveshjet e arritura midis Serbisë dhe Kosovës duhet të respektohen dhe se “lëvizjet e njëanshme nuk janë të dobishme”.
“Kam biseduar me presidentin Vuçiq për rëndësinë e përparimit në dialog, që duhet të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Të gjitha çështjet e hapura duhet të zgjidhen brenda dialogut, që kërkon guxim dhe vendosmëri, dhe të gjitha detyrimet e dakorduara duhet të respektohen”, tha Scholz.
Vuçiq tha se Serbia “do të bëjë të pamundurën për të arritur një zgjidhje kompromisi”.
“Besoj se do të kemi forcë për të arritur deri te një përparim i caktuar në raport me Prishtinën, në një dialog që nuk është i lehtë për ne, por nuk dua ta shfrytëzoj këtë rast për të shpjeguar përse”, tha Vuçiq.
Scholz, po ashtu, tha se ia ka bërë me dije Vuçiqit – vendi i të cilit nuk e ka sanksionuar Rusinë për shkak të pushtimit të Ukrainës – se lufta është e papranueshme.
Kurti e Vuçiq u takuan mbrëmjen e së mërkurës në një darkë joformale në Berlin, me ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Në një postim në Twitter, Lajçak tha se mirëpret mundësinë për diskutime rreth dialogut.
“Faleminderit Qeverisë gjermane për pritjen. Ne do të vazhdojmë diskutimin në nivel të kryenegociatorëve më 13 maj”, shkroi ai.
Takimi Kurti-Vuçiq ishte i pari midis tyre që nga korriku i vitit të kaluar, kur palët janë takuar në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Nga BE-ja, si ndërmjetësuese e dialogut, ka pasur disa përpjekje për të aranzhuar një takim të ri midis tyre, por deri më tani pa sukses.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka deklaruar më herët se nuk do t’i ftojë liderët e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, pa pasur tregues të qartë se në një takim të tillë do të arrihej përparim konkret.
Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, fillimisht në qershor, dhe më pas në korrik të vitit 2021. Asnjëri takim nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret.
Ngecjen në bisedime besohet se e kanë shkaktuar mospajtimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në vitin 2013, dy vendet kanë arritur marrëveshje për themelimin e këtij asociacioni, por zbatimi i saj në terren ka ngecur.
Kryeministri Kurti thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik. Serbia insiston në formimin e tij.
Bashkimi Evropian, disa herë, u ka bërë thirrje palëve që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura.
Dy vendet janë të angazhuara në dialog qysh në vitin 2011 dhe kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumë prej tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren.