Kërcënimi ndaj Dick Marty-t, Presidentja e Kosovës kërkon informacione të detajuara nga shteti i Zvicrës
Një hetim i bërë së fundi nga “Mise au Point” (FOCUS), hodhi në pah se ish-senatori Dick Marty është vendosur nën mbrojtje shumë të rreptë policore.
Lajme
Që nga dhjetori i vitit 2020, ndaj Dick Marty-t, i ishte vendosur mbrojtje speciale policore, për shkak të kërcënimeve me vdekje nga ana e Shërbimit Sekret serb.
Sipas vetë Dick Marty-t, kërcënimi erdhi nga qarqe të caktuara të Shërbimeve të Inteligjencës serbe, të cilët kanë kërkuar nga bota e krimit, apo vrasësve profesionistë, që të likuidojnë thjeshtë për t’ua vënë fajin kosovarëve.
Kjo ishte deklarata e Marty-t, lidhur me situatën e krijuar ndër vite, por të paditur për publikun deri më tani.
E ky publikim padyshim se ngjalli reagime të shumta anembanë botës, e më së shumti tek ne në Kosovë, duke ditur figurën që kishte krijuar tek shqiptarët vetë Dick Marty.
Lidhur me këtë situatë pati reagime të njëpasnjëshme, si nga përfaqësuesit institucional, por edhe nga njerëzit të cilët përfaqësojnë shoqëri civile apo janë njohës të çështjeve politike dhe zhvillimore të Kosovës.
Por e heshtur gjatë gjithë kësaj kohe ishte e para e shtetit, saktësisht Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Por siç duket pavarësisht heshtjes publike, Osmani në anën tjetër është marrë me këtë çështje.
Kjo është bërë e ditur për lajmi.net, nga Presidenca e Kosovës.
Këshilltari i presidentes së vendit, Bekim Kupina, ka deklaruar se me të marrë informacionin lidhur me ish-senatorin Dick Marty, presidentja Osmani ka zhvilluar kontaktet me institucionet e sigurisë, nga ku ka kërkuar që menjëherë të sigurojnë informacion zyrtar nga autoritetet zvicerane.
“Sapo është bërë publik lajmi për ish-senatorin Dick Marty, Presidentja Osmani ka kontaktuar me institucionet e sigurisë dhe ka kërkuar nga to që menjëherë të sigurojnë informacion zyrtar nga autoritetet zvicerane për planin e agjencive serbe të inteligjencës për ta eliminuar ish-senatorin zviceran Dick Marty në mënyrë që pastaj t’ia lënë fajin personave nga Kosova.”,deklaroi Kupina.
E sipas Kupinës, për shkak të ndjeshmërisë që posedon ky rast, Osmani do të mund të deklarohet sërish pas pranimit të informatave zyrtare, përkatësisht nga vetë shteti zviceran.
“Shkaku i ndjeshmërisë së rastit, Presidentja do të mund të deklarohet sërish pas pranimit të informatave zyrtare nga shteti zviceran.”, shtoi ai.
Për dallim nga Osmani që zgjodhi të mos deklarohet publikisht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u deklarua lidhur me këtë situatë pak ditë më parë.
Me këtë rast, kryeministri Kurti deklaroi se shteti dhe populli i Kosovës e kanë ditur gjithmonë se kush është Serbia dhe se çfarë planifikon ajo.
Madje ai theksoi se shpreson që vendet e QUINT-it, si dhe vetë Bashkimi Evropian ta ngrisin këtë çështje, pasi është një aktakuzë që kalon çfarëdo përmasash individuale, përfshirë një shtet të tërë.
E nevoja që Dick Marty të jetë dëshmitarë në kuadër të Gjykatës Speciale në Hagë është parë edhe nga Nevenka Tromp, e cila njihet si hulumtuese për 12 vjet në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.
Ligjëruesja Tromp deklaroi se Dick Marty, duhet të dëshmojë jo vetëm para mbrojtjes dhe prokurorisë, por edhe vetë gjyqtarëve pasi që mbi bazën e raportit të tij, është krijuar Gjykata Speciale.
Në vitin 2012, me 166 vota pro, 8 kundër dhe 9 vota të përmbajtura, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës kishte miratuar rezolutën, me të cilën kërkon hetime për trafikimin e organeve në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, bazuar në raportin e Dick Martyt.
E në bazë të këtij raporti në kuadër të Gjykatës Speciale në Hagë vazhdojnë të gjykohen ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi si dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Nga ky raport Thaçi dhe Veseli akuzohen për kinse krime luftë, ndërmarrje e organizuar kriminale dhe trafikim të organeve./Lajmi.net/