Mbi 800 mijë doza të vaksinës ende në stok – bëhet thirrje për imunizim

Mbi 800 mijë doza të vaksinës anti-COVID janë në stok në Kosovë. Kështu është bërë e ditur gjatë një vizite që anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, kanë bërë sot në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik. Vizita është bërë me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Shëndetësisë.

Lajme

07/04/2022 10:20

Në takim u pritën nga drejtori ekzekutiv i IKShPK-së, Naser Ramadani, i cili falënderoi anëtarët e komisionit. Ai tha se procesi i vaksinimit mund të shënohet si storie e suksesshme për Kosovën.

“Vaksinimin mund ta  shënojmë sot në ditën botërore të shëndetit si storie tejet e suksesshme për popullatën e Kosovës, ku i kemi arritur objektivat tona dhe po vazhdojmë me të njëjtin intensitet  të punojmë edhe më tutje pa u ndalur dhe ekipet pa pushuar fare në mënyrë që të realizojë të gjitha objektivat e mbikëqyrjes së përgjithshme të Covid-19 deri në përfundimin defenitiv”, tha ai.

Në anën tjetër, Kryetarja e këtij Komisioni, Fatmire Kollçaku, kërkoi nga qytetarët që të vaksinohen pasi tha se ka një rënie të lehtë të interesimit të qytetarëve, edhe pse ka mjaftueshëm vaksina.

“Duke i falënderuar drejtorin dhe gjithë stafin e IKPSHK dhe degëve rajonale për gjithë punën e bërë në këto dy e që jemi në vitin e tretë të pandemisë në nivel global dhe epidemisë në nivel vendi, fatmirësisht me një situatë shumë më të qetë epidemiologjike. Me një mesazh nga ky vend, është evidente që kemi rënie të kërkesës për vaksinim ndërsa vaksina ka mjaftueshëm siç e kuptuam sot dhe i ftojmë të gjithë qytetarët që nuk e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë që të vaksinohen”.

E deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, kërkoi nga institucionet që punëtorët shëndetësorë të kenë një përkushtim më të madh. Sipas tij, investim duhet të bëhet në parandalimin e sëmundjeve pasi “shumica e buxhetit të shtetit po shkon vetëm kah trajtimi”.

“Dua të jap një falënderim të veçantë për të gjithë punëtorët shëndetësorë anekënd Kosovës  të cilët tani e dy vite kanë qenë në krye të detyrës me një përkushtim maksimal. Ftoj institucionet shtetërore që të kthejnë kokën kah punëtorët shëndetësorë dhe të mbështesin ata sepse mbrojtja e shëndetit  pa profesionist  të mirëfilltë shëndetësorë  nuk mund të arrihet. Këtë na e kanë dëshmuar më së miri gjatë kësaj pandemie më së miri të gjithë profesionistët shëndetësorë”, tha Haxhiu.

“Ne si komision parlamentar për shëndetësi kemi ardhur të vizitojmë në ditën botërore të shëndetit por edhe për të quar edhe një mesazh tjetër që duhet të investohet më shumë në parandalimin e sëmundjeve sepse po thuajse shumica e buxhetit të shtetit po shkon vetëm kah trajtimi. Sot morëm informatën se ka më shumë se 800 mijë doza të vaksinës në stok bëj apel për të gjithë qytetarët që të vaksinohen”./Lajmi.net/