Fitore e madhe e Napolit ndaj Atalanta – vazhdon gara për titullin e kampionit në Serie A
Skuadra e Napolit vazhdon të shtyjë në garën për titull të kampionit në Serie A.
Sport
Jugorët e Italisë kanë marrë një fitore të madhe në udhëtim në Bergamo, kundër skuadrës së Atalanta, me rezultat 1:3, shkruan lajmi.net.
Ndeshja nisi shumë mirë për Napoli, të cilët dukeshin të motivuar maksimalisht. Ata zhbllokuan ndeshjen qysh në minutën e 14′ të takimit, me anë të Lorenzo Insigne i cili qëlloi saktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Në minutën e 37′, Napoli gjeti edhe golin e dytë, kësaj radhe me Politanon, kurse Insigne kaloi në rolin e asistuesit.
Atalanta bëri më mirë në pjesën e dytë. Skuadra e Gasperini gjeti golin e parë në minutën e 58′, kur me De Roon ngushtoi rezultatin në 1:2. Por, më shumë se kaq nuk arritën të bënin.
Napoli dha goditjen përfundimtare në minutën e 81′, me anë të Eljif Elmas. Hirving Lozano asistoi.
Skuadra e Napoli shkon tashmë në 66 pikë për pozitën e dytë, me pikë të barabarta me liderët, Milanin, të cilët kanë një ndeshje më pak të luajtur.
Atalanta mbetet në pozitën e shtatë, me 51 pikë të tubuara. /Lajmi.net/