Lautaro Martinez i nervozuar me Alexis Sanchez: Kartoni i kuq bëri diferencën

Lautaro Martinez ka shfaqur mllefin e tij ndaj Alexis Sanchez, pas kartonit të kuq në ndeshjen ndaj Liverpool.

Sport

09/03/2022 08:45

Inter fitoi minimalisht në ‘Anfield’, por për një pjesë të ndeshjes (pas golit të shënuar) luajti me një lojtar më pak.

Alexis Sanchez u ndëshkua me karton të kuq (i dyti i verdhë) pas ndërhyrjes ndaj Fabinho. Kjo sipas Lautaro Martinez bëri diferencën dhe i pamundësoi përmbysjen skuadrës së tij.

“Ne përsëri dëshmuam se jemi skuadër e mirë, por duhet të përmirësohemi me detajet. Gjëja e njëjtë na ndodhi edhe në Madrid dhe është e vështirë të luash në këto nivele me 10 lojtarë”, ka thënë Lautaro, transmeton lajmi.net.

“Ne bëmë atë që deshëm, treguam karakter, dëshirën për kualifikim dhe kur morëm epërsinë në një pjesë të vështirë, është keq të mbetesh me 10 lojtarë, sepse këto janë gjërat që bëjnë diferencën”, shtoi argjentinasi duke iu referuar kartonit të kuq të Alexis.

Lautaro ishte golashënuesi i vetëm i ndeshjes. Ai shënoi një super-gol duke e lënë pa gjasa portierin e Liverpool, Alisson Becker. /Lajmi.net/