Inter fiton në “Anfield”, por Liverpool kualifikohet në çerekfinale

Liverpool është skuadra e dytë pas Bayern Munich, që ka siguruar 'biletën' për çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Sport

08/03/2022 22:58

Edhe pse Inter triumfoi në “Anfield” me rezultat 0:1, “Reds” kaluan tutje falë rezultati të përgjithshëm 2:1, pasi kishin fituar në “San Siro” (2:0), shkruan lajmi.net.

Ndeshja ishte e barabartë, me dy skuadrat që provonin të gjenin golin qysh nga minuta e parë.

Pjesa e parë përfundoi ashtu siç nisi, ngase asnjëra skuadër nuk i konkretizoi aksionet e shumta.

Liverpool e nisi më fuqishëm pjesën e dytë, me Mohamed Salah që dështoi të shënonte nga afërsia, duke goditur shtyllën.

Kur “Reds” ishin duke bërë presion të tepër, falë një kundërsulmi, Sanchez asistoi për Lautaro Martinez që realizoi një eurogol nga distanca (62′).

Por, vetëm disa sekonda më vonë, Sanchez u ndëshkua me karton të kuq pasi pranoi dy kartonë të verdhë (63′).

Tutje, Liverpool dominoi me Salah që goditi sërish shtyllën, por assesi nuk i finalizuan rastet.

Kësisoj, Liverpool tani është kualifikuar në çerekfinale dhe kundërshtarin do ta mësojë pas hedhjes së shortit./Lajmi.net/