Skandaloze: MINT bën thirrje të hetohen OJQ-të që protestuan kundër “përzierjes dhe hollimit të naftës”
Një thirrje të paprecedentë e ka bërë sot Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ndaj një organizate joqeveritare e cila dje protestoi kundër informalitetit dhe mungesës së kontrollit të cilësisë së naftës në tregun e brendshëm në Kosovë.
Lajme
Ky aktivitet i AVONET erdhi pasi në tregun e Kosovës sipas tyre ka mungesë të kontrollit të cilësisë së naftës si dhe si pakënaqësi dhe revoltë dhe kundër informalitetit, shkruan lajmi.net. Në këtë aktivtet u tha se po ndodhin keqpërdorime dhe se ka informalitet në treg.
E Ministria në formë të çuditshme dhe skandaloze ka kërkuar nga Prokuroria që të hetojë deklaratat e kësaj OJQ-je, të cilat ata i quajnë të paqëndrueshme, ndonëse të njëjtat janë shprehur në formë proteste pa ndonjë prapavijë politike.
“Gjithashtu, MINT fton Prokurorinë e Republikës së Kosovës t’i hetojë deklaratat e paqëndrueshme të përfaqësuesve të OJQ “AVONET”, që i kanë bërë në prezantimet dhe publikimet publike dhe në media, më 23 shkurt 2022”, thuhet në reagimin e MINT.
Në një komunikatë të lëshuar për media, AVONET pohon se sipas raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, informaliteti konsiderohet problem serioz dhe qeveria duhet të bëjë më shumë për kontrollimin e tregut, shkruan lajmi.net.
“Informaliteti i lartë e dëmton bazën tatimore që kufizon buxhetin shtetëror për arsimin, shëndetësinë dhe infrastrukturën. Një fushë e veçantë ku informaliteti është i përhapur është industria e naftës dhe qeveria ende nuk ka marrë mdonjë hap të rëndësishëm për të luftuar korrupsionin dhe abuzimet në këtë sektor, që përfshin evazionin fiskal, si dhe hollimin dhe përzierjen e naftës. Problemet që ka Kosova me mungesën e kontrollit efektiv të cilësisë së naftës janë të dokumentuara mirë nga institucionet e Kosovës, gazetaria investigative dhe raportet ndërkombëtare.”, thuhet në komunikatën e AVONET-it.
Gjithashtu, AVONET thotë se ka mungesë të madhe të veprimit të qeverisë, e madje e konsiderojnë qeverinë e Kosovës si aleate të industrisë së naftës kundër interesit publik.
“Kemi dëgjuar se si Shoqata e Naftëtarëve e Kosovës ka qenë pjesë dhe ka mbështetur ligjet e nisura nga kjo qeveri në lidhje me naftën që është një indikator i fuqishëm se kjo qeveri po mbron interesat e naftëtarëve dhe jo të qytetarëve.”, thuhet në komunikatën e AVONET.
Lajmi.net kishte raportuar edhe vitin e kaluar se qytetarët po ankohen në cilësinë e naftës në Kosovë duke thënë se kjo po iu shkakton edhe probleme në servisimin e veturave.
Në vijim keni komunikatën e plotë të lëshuar nga Ministria:
Prishtinë, 24.02.2022
Më 23 shkurt 2022, Rrjeti i Organizatave Jo-Qeveritare “AVONET”, ka mbajtur një aktivitet pranë Ministrisë së Industrisë, Ndermarresise dhe Tregtisë (MINT), me temën “Informaliteti dhe mungesa e kontrollit të qeverisë në tregun e brendshëm po ndihmon korrupsionin dhe abuzimin, veçanërisht në industrinë e naftës”, gjithashtu ka lëshuar komunikatë për media me titull: “Qeveria po i favorizon naftëtarët dhe jo qytetarët e interesin publik”.
Për hir të informimit të saktë të publikut, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mision sundimin e ligjit dhe interesin e përgjithshëm të qytetarëve.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, respektivisht Inspektorati i Tregut monitoron rregullisht cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës në tregun e brendshëm, duke u bazuar në Ligjin nr.2004/5 për Tregtinë me Naftë dhe Derivate të Naftës dhe Udhëzimit Administrativ nr.01/2017 për Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës.
Monitorimi i cilësisë bëhet përmes marrjes së mostrave dhe testimit në laboratorët e akredituar (brenda dhe jashtë shtetit). Vetëm gjatë vitit 2021 janë testuar mbi 730 mostra të karburanteve të lëngëta të naftës.
MINT rithekson se ligji i ri për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme (pas 10 vitesh), me 8 shkurt të këtij viti, është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe i njëjti shumë shpejt do të fillojë të zbatohet.
MINT vlerëson se komunikata e lëshuar nga “AVONET” është deklaratë e pasaktë dhe e pabazuar në fakte dhe prova, prandaj si të tillë e konsideron tentim të radhës për zbehjen e qeverisjes së mirë dhe me duar të pastra.
Megjithatë, në rast se “AVONET” kanë dëshmi dhe prova lidhur me rastet e favorizimit të naftëtarëve, informalitetit, korrupsionit, abuzimit, përzierjes dhe hollit të naftës, dëmtim të veturave nga karburantet, kërkojmë që rastet e tilla t’i denoncojnë pranë organeve kompetente.
Gjithashtu, MINT fton Prokurorinë e Republikës së Kosovës t’i hetojë deklaratat e paqëndrueshme të përfaqësuesve të OJQ “AVONET”, që i kanë bërë në prezantimet dhe publikimet publike dhe në media, më 23 shkurt 2022. /Lajmi.net/