Presidenca: Nuk blejtëm bredh 950 euro, i gjithë dekorimi na kushtoi aq
Gjatë ditës në media u raportua se presidenca ka bërë shpenzime të mëdha për dekorimet e fundvitit duke blerë ndër të tjera vetëm një bredh që kushton 950 euro.

Lajme
Një gjë të tillë e kanë mohuar për Klankosova.tv nga zyra e të parës së shtetit Vjosa Osmani.
Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, ka thënë se në fakt i gjithë dekorimi i presidencës do të kushtojë 950 euro, dhe jo vetëm një bredh.
“Presidenca duke përfillur procedurat ligjore të prokurimit ka bërë kërkesë për furnizim me gjëra dekorative duke përfshirë disa bredha të cilat do të përdoren për dekorimin e presidencës. Sipas rregullativës ligjore, E-prokurimi kërkon që në titull të kërkesës për furnizim të vendoset produkti me vlerën më të madhe, që në këtë rast janë bredhat, i cili e ka vlerën më të madhe. Siç mund të vërtetohet nga detajet, brenda procedurës janë të përfshira edhe dekorimet e tjera të cilat, së bashku me blerjen e bredhave, e arrijnë shumën 950 euro”.