Konfirmohet për “Lajmi.net”, Berisha dhe Prishtina ndërprejnë bashkëpunimin 

Erdhi me shumë bujë gjatë afatit veror, por sulmuesi kosovar Besart Berisha, assesi nuk arriti pritshmerinë te Fc Prishtina.

Sport

03/12/2021 17:50

Prishtina e transferoi Berishën verën e kaluar, duke arritur të mposht në garë rivalin Ballkanin, por tashmë kanë ndërprerë bashkëpunimin, shkruan lajmi.net.

Futbollisti zhvilloi vetëm 18 minuta këtë sezon, atë në ndeshjen ndaj Dritës dhe pastaj pësoi lëndime të njëpasnjëshme që ndikuan të humbas shumicën e këtij sezoni vjeshtor.

Lajmin për ndëprerjen e kontratës e ka konfirmuar për lajmi.net një pjesëtar i bordit. “Po, kemi ndërprerë bashkëpunimin me Berishën në mënyrë reciproke. Synimi ynë tani është të sjellim lojtarë të rinjë në moshë në skuadër”, tha shkurtimisht ai për lajmi.net.

Ndërkohë, lajmi.net me burime të afërta me klubin mëson se Berisha ka disa oferta nga klubet në Evropë dhe synon të provojë edhe aty vetën para pensionimit.

Kujtojmë se Berisha në të kaluarën e kishte cilësuar ‘ëndërr’ që të ishte golashënuesi kryesor në Kosovë dhe të arrinte trofe me “Bardhëkalterit”, por mesa duket nuk do realizohet.

Prishtina momentalisht renditët në pozitën e pestë në tabelë me 24 pikë, gjashtë pikë prapa liderit Ballkani, derisa në vikend do kenë ndeshje të vështirë ndaj nën-kampionit të Kosovës, Drita. /Lajmi.net/