Ja si “1000 ditët e para” mund të diktojnë të ardhmen e fëmijës tuaj
Për të zhvilluar trurin dhe trupin e tyre, të vegjlit kanë nevojë për një shumëllojshmëri frutash, perimesh, drithërash, ushqime të pasura me proteina, qumësht të pangopur dhe produkte të tjera të qumështit, raporton organizata “1.000 Days”.
Lifestyle
Shprehja e vjetër “ju jeni ajo çka hani”, duhet të jetë në fakt “ju jeni ajo çka konsumon nëna juaj”. Kjo sepse dieta e një nëne shtatzënë dhe më pas lehonë ndikon në shëndetin njohës, fizik, social dhe emocional të foshnjës, si dhe tek shijet që do të përcaktojnë preferencat ushqimore të fëmijës gjatë gjithë jetës, thotë Rafael Perez-Eskamila, studiues i shëndetit të nënës dhe fëmijës në Shkollën e Shëndetit Publik në Universitetin e Jeilit, SHBA, shkruan Bota.al.
Pasi foshnjat nisin të hanë ushqim të fortë në moshën 6 mujore, dieta e tyre ushqimore në 2 vitet e para hedh themelet për shijet e tyre, zhvillimin konjitiv dhe fizik dhe rrezikun afatgjatë për sëmundjet kronike, thotë ai, transmeton lajmi.net.
Ndikimi i përjetshëm që ka ushqyerja e nënës dhe fëmijës në zhvillimin e trurit dhe trupave – e krijuar në “1000 ditët e para”, nga ngjizja deri në moshën 2 vjeçare – është e mirë-njohur për më shumë se një dekadë,që kur revista mjekësore “The Lancet” publikoi një studim mbarëbotëror në vitin 2008.
Sipas studimit në fjalë, një ushqyerje e dobët në 1.000 ditët e para, mund të sjellë dëmtimin e pakthyeshëm të trurit në rritje të foshnjave, dhe të krijojë terrenin për obezitet më vonë gjatë jetës, diabetin e Tipit 2, hipertensionin, dhe probleme të tjera kronike shëndetësore.
Përparimet në teknikat e imazhit të trurit, kanë treguar se ka jo pak pasoja negative tek fëmijët qëu mungon ushqimi i shëndetshëm dhe një mjedis i shëndetshëm në shtëpi. “Rajonet e trurit që rregullojnë zhvillimin shoqëror dhe emocional ndikohen negativisht. Dhe kjo i prek ata gjatë gjithë jetës së tyre”- thekson Perez-Eskamila.
Ato mund të ndikojnë edhe tek obeziteti, dukuri qënjë shqetësim serioz në SHBA, ku normat janë rritur ndjeshëm në mesin e fëmijëve dhe të rriturve në dekadat e fundit. Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC),në SHBA më shumë se 19 për qind e fëmijëve dhe adoleshentëve janë aktualisht obezë.
Kjo shifër është gati 4 herë më shumë sesa 41 vjet më parë, kur vetëm 5 për qind e fëmijëve dhe adoleshentëve ishin obezë. Ndërkohë, dominimi i obezitetit tek të rriturit është gati trefishuar, nga 15 për qind në fund të viteve 1970, në më shumë se 42 për qind në vitin 2018.
“Një pjesë e mirë e grave në SHBA, janë mbipeshë kur mbeten shtatzëna”- thotë Blith Tomas, drejtoreshë e “1.000 Days” (1.000 Ditët), një organizatë jofitimprurëse me degë në mbarë botën. Mbipesha dhe obeziteti, cilësohen si një formë e kequshqyerjes nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH), dhe kjo vjen nga një teprim me ushqimet dhe pijet me shumë energji (të pasura me sheqerna dhe yndyrna).
Tomas thotë se ndjekja e këshillave të mjekëve për shtimin e peshës gjatë shtatzënisë, dhe ndjekja e njënjë diete të mirë-ekuilibruar mirë, e cila të jetë e pasur me lëndë ushqyese, ndihmon në sigurimin e lindjes së një fëmije me një peshë të shëndetshme. Dhe kjo zvogëlon mundësinë e ndërlikimeve gjatë lindjes,si dhe problemet e mëvonshme shëndetësore për fëmijën.
Ndërkohë Perez-Eskamila thekson se shëndeti gjatë gjithë jetës i një fëmije, përfshirë predispozitën e tyre për t’u prekur nga gjendje të tilla si obeziteti, diabeti dhe sëmundjet e zemrës, mund të diktohet nga cilësia e ushqyerjes së nënës së tyre shtatzënë.
Nënat të cilat duan që fëmijët e tyre të hanë ushqime të shumëllojshme,mund ta krijojnë vetë bazën, duke konsumuar një larmi ushqimesh dhe shijesh gjatë shtatëzanisë, thotë ai. Ndjenja e nuhatjes dhe shijes së foshnjave, fillon të zhvillohet që në 3-mujorin e parë të jetës si një fetus,sepse shijet kalojnë përmes lëngut amniotik.
“Qumështi i gjirit, është super-ushqimi i përsosur. Dhe sa më gjatë që foshnja ushqehet me gji, aq më të mëdha janë përfitimet. Foshnjat që ushqehen me gji kanë norma më të ulëta të obezitetit”- shton Tomas.
Po ashtu sipas një analize të studimeve të shumta të botuara në “American Journal of Clinical Nutrition”,foshnjat që ushqehen me gji, pavarësisht koefiçientit të inteligjencës së nënës së tyre (IQ) dhe statusit socio -ekonomik, kanë rezultate më të larta në testet e IQ.
Për të zhvilluar trurin dhe trupin e tyre, të vegjlit kanë nevojë për një shumëllojshmëri frutash, perimesh, drithërash, ushqime të pasura me proteina, qumësht të pangopur dhe produkte të tjera të qumështit, raporton organizata “1.000 Days”.
Për të zvogëluar mundësinë e obezitetit tek fëmijët, Departamenti Amerikan i Bujqësisë rekomandon shmangien e lëngut të frutave apo ushqimit me sheqer të shtuar para 12 muajve të parë të fëmijës, dhe konsumin e frutave të plota në vend të lëngjeve të tyre pas moshës 1 vjeçare. /Lajmi.net/