Carvajal: Shpresoj se Mbappe mund të bashkohet me Real Madridin para se të mbyllet afati kalimtar
Real Madridi arriti një fitore të rëndësishme mbrëmë ndaj Real Betis, duke fituar me golin e vetëm të Dani Carvajal.
Sport
Protagonisti i ndeshjes pas fitores së mbrëmshme doli në konferencë për shtyp, ku përpos ndeshjes foli edhe për transferimin e mundshëm të Kylian Mbappes tek ekipi spanjoll, duke shpresuar se një gjë e tillë do të ndodhë këtë afat kalimtar veror.
“Shpresoj se Mbappe mund të na bashkohet para se të mbyllet dritarja e transferimeve, ai është një lojtar i madh dhe do të ishte një përforcim i duhur” theksoi mbrojtësi i djathtë pas ndeshjes.
Ashtu si Carvajal, drejtori i Madridit Emilio Butragueno dhe trajneri Carlo Ancelotti gjithashtu folën për situatën e Mbappe, megjithëse të dy preferuan të mos i drejtoheshin drejtpërdrejt pyetjes.
“Ne e kuptojmë që tifozët janë në pritje, të gjitha mediat po flasin për këtë, por ne nuk kemi asgjë për të thënë,” tha Butragueno.
Ancelotti shtoi: “Le të flasim për lojën, pjesa tjetër është një çështje për klubin.”
Kujtojmë që klubi madrilen ka ngritur ofertën në 170 milion euro plus 10 milion të tjera bonuse për Mbappen, ofertë e cila po qëndron në tavolinë dhe klubi parisien nuk është përgjigjur ende, teksa raportohet se klubi spanjoll i ka dhënë ultimatum që nëse edhe gjatë ditës së sotme nuk i përgjigjen kësaj oferte, ata do të heqin dorë nga lojtari në këtë merkato, dhe do të provojnë të transferojnë falas vitin e ardhshëm. /Lajmi.net