Mbi 1.5 milion euro: Haxhiu me tri kontrata për mbrojtjen e Kosovës në Arbitrazh
Mbi 1.5 milionë euro pritet t’i kushtojë mbrojtja Kosovës për tri raste të arbitrazheve ndërkombëtare. Këto para do t’iu jepen zyrave ligjore që do të përfaqësojnë Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës. Në rast të mospërfaqësimit të duhur, shteti rrezikon të humbë miliona euro.
Lajme
Blerim Devolli, kundër Telekomit të Kosovës. IUTECREDIT kundër Bankës Qendrore të Kosovës dhe ContourGlobal kundër Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Këto janë tri paditë me të cilën do të përballët Ministria e Drejtësisë këtyre ditëve në Arbitrazhin Ndërkombëtar, shkruan lajmi.net.
Ministria e Drejtësisë që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu ka publikuar kompaninë fituese që do të përfaqësojë ministrinë në arbitrazh. Kompania “Squire Patton Boggs (US) LLP” nga SHBA është përzgjedhur që të autorizohet për tri rastet kontestuese, derisa vlera e kontratave totale është 1 milionë e 575 mijë euro. Kjo kompani është zgjedhur me procedurë të negociuar, pa publikim të kontratës, derisa ishin kontaktuar nga ministria edhe disa kompani tjera ndërkombëtare, por që kishin çmim shumë më të shtrenjtë.
Për Lot 1 është paraparë kontrata ku do të mbrohet shteti kundër Devollëve, dhe vlera e kësaj kontrate do të jetë 575 mijë euro. Lot 2 do të jetë kontrata kundër IUTECREDIT, me çmim prej 525 mijë euro dhe lot 3 do të lidhet kontrata kundër padis së Conture Global me çmim prej 475 euro.
Në arbitrazhin e dytë, Z-Mobile e Blerim Devolli kërkon rreth 13.5 milionë euro për shkak të dëmeve të shkaktuara nga Telekomi. Z-Mobile pretendon se marrëveshja, e nënshkruar në vitin 2009, është në fuqi dhe nuk ka përfunduar më 31 korrik 2019, siç pretendon Telekomi i Kosovës.
Sipas kësaj kompanie, marrëveshja mbetet në fuqi për faktin që Telekomit, po më 31 korrik, i është vazhduar licenca nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit.
Menjëherë pas kësaj padie, Bordi i PTK-së kishte thënë se do të përfaqësohen profesionalisht në Arbitrazh dhe se do të dëshmoheshin dëmet e shkaktuara nga Z-Mobile.
Ata kishin thënë se mos vazhdimi i kontratës me Z-Mobile kishte ardhur pas ekspertizave dhe konsultimeve ligjore dhe se ishte në pajtim me ligjin.
Për këtë çështje, ata tashmë janë vënë në lëvizje, duke angazhuar një kompani të huaj ligjore.
Investitori ContourGlobal përveç që u tërhoq nga ndërtimi i termocentralit në mars të këtij viti, e dërgoi Kosovën edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar për mosrespektim të kontratës.
Me datë 24 maj 2020, sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, ka qenë e paraparë që të bëhet mbyllja financiare e projektit Termocentrali “Kosova e Re”, por kjo nuk është arritur në kohë.
Në rast të mospërfundimit të këtyre procedurave, me kontratë ishin paraparë ndëshkime financiare për palën, e cila nuk i përmbushë obligimet.
Nëse zvarritjet e kontratës me ContourGlobal shkaktoheshin nga Kosova duke mos i përmbushur obligimet, atëherë Qeveria e Kosovës do të ketë si përgjegjësi financiare ndaj kompanisë ContourGlobal, një vlerë prej 19.7 milionë eurosh. Ndërsa, nëse Kosova i përfundon obligimet, por ContourGlobal nuk arrin të sigurojë pakon financiare, atëherë kjo kompani do t’i detyrohet Kosovës me një vlerë prej 17.5 milionë eurosh.
Në mars 2021, kompania ContourGlobal kishte njoftuar se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e termocentralit, me arsyen se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen, por po ashtu ishin theksuar edhe ndryshimet politike që kishin ndodhur në Kosovë.
Në atë kohë në pushtet ishte koalicioni qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje ishte shprehur kundër marrëveshjes me ContourGlobal dhe sipas LVV-së, ky projekt, si i tillë, nuk do të realizohet pasi, kompania në fjalë mund të rrisë çmimin e faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike. Ndërsa, Lidhja Demokratike të Kosovës ishte shprehur se do të ndërtojë kapacitete të reja energjetike, por do të refuzojë secilën alternativë investuese që shtrenjton çmimin përfundimtar të energjisë elektrike prej 100 për qind.
Ndërkohë, ende pa përfunduar këto raste, padi në Arbitrazh kishte derguar edhe dhe kompania “Iute Credit”, të cilave u ishte revokua licenca nga Banka Qendrore e Kosovës.
Sipas avokatit të “Iute Credit”, mund të ketë padi me dëme deri në 12 milionë euro.
“Brenda disa ditëve do dërgohet shtyrja e vendimit në gjykatë, ta shpëtojmë IuteCredit nga likuidimi, t’i ruajmë 340 vende pune. Do mund të ketë padi në gjykatën e arbitrazhit me dëme deri 12 milionë euro. Të heqim njollën diplomatike të Kosovës për shtetin që e ka përkrahur që nga fillimi, besoj se këto padrejtësi do rishikohen në gjyqësor”, kishte paralajmëruar avokati.
Ndryshe, Kosova, para dy viteve, Kosova ia doli të fitojë një rast aspak të lehtë në Tribunalin e Arbitrazhit. Në fakt ishte padia më e madhe që i ishte bërë shtetit nga kompania gjermane AXOS për rastin e privatizimit të dështuar të Telekomit të Kosovës.
Kjo kompani në padinë ndaj Kosovës kishte kërkuar hiq më pak se 380 milionë euro dëmshpërblim me pretendimet se në mënyrë të paligjshme i ishte mohuar e drejta në privatizimin e Telekomit të Kosovës.
Por, kishte qenë pala mbrojtëse e Kosovës, e cila e kishte dëshmuar të kundërtën dhe falë tyre shteti ka arritur të shpëtoj nga ky ndëshkim multi milionësh.
Arbitrazhi ndërkombëtar është i ngjashëm me një proçedurë gjyqësore kombëtare. Por, në vend të një proçedure para një gjyqëtari, arbitrazhi kryhet para personave të zgjedhur të quajtur arbitra.
Është një mënyrë neutrale, private dhe konsensuale për të zgjidhur konfliktet. Për më tepër, vendimi që jepet është i detyrueshëm dhe duhet te respektohet nga të gjitha palët. Normalisht, është një mënyrë më e shpejtë dhe më pak e kushtueshme se një proçedurë gjyqësore. /Lajmi.net/


