Receta tradicionale e bakllavës nga Kosova

Përgatitja e bakllavasë është një art më vete!

Lifestyle

04/04/2021 12:34

Edhe pse konsiderohet si një ëmbëlsirë e rëndë nuk ka person që mos të bjeri pre e tundimit për ta shijuar një copë.

Krokante dhe në të njëjtën kohë me peta të shkrifëta që të shkrihen që në kafshatën e parë, kjo bakllava ia vlen që të provohet.

Përbërësit

10 vezë ( 8 të verdha të vesë dhe dy vezë të plota )

1 gotë ujë me kos ose qumësht

1 gotë me vaj

1 paketë me pluhur për pjekje

Pak kripë

Pak sheqer,

1-1.5 kg miell

1-1.5kg arra

700gr gjalpë i tretur

Për sherbetin

2kg sheqer

1.5l ujë

Gjysmë limoni

Përgatitja

Si fillim të përgatisni brumin.

Merrni një tavë të madhe dhe hidhni aty 1 kg miell dhe në mes shtoni vezët, pluhurin e pjekjes, vaj, kosin pak kripë dhe pak sheqer.

Punojeni brumin fillimisht me një pirun më pas me duar.

Nëse brumi është i ngjitshëm shtoni edhe pak miell derisa të shikoni që fortësia është ashtu siç duhet.

Më pas ndajeni brumin në kuleçë sa një kokërr arrë.

Nisni t’i hapni në petë të cilat duhet të jenë pothuaj transparente.

Në tavë shtroni tre petat e para dhe më pas spërkatini me gjalpë të tretur.

Kur të keni shtruar gjysmat e petëve hidhni arrat e shtypura dhe vazhdoni me petat e tjera.

Pasi t’i vendosni të gjitha petat në tepsi priteni bakllavanë në formën karakteristike me rombe.

Gjalpin e tretur hidhjani sipër dhe futeni për ta pjekur në temperaturë 160-170 gradë për 3-4 orë.

Ndërkohë përgatisni sherbetin duke vendosur në tenxhere sheqerin dhe ujin.

Kur të shihni që sherbet të kthejë valë, shtoni lëkurën dhe lëngun e gjysmës së limonit.

Lëreni të ziejë edhe për 3-4 minuta të tjera dhe largojeni nga zjarri.

Sherbetin duhet ta hidhni të nxehtë mbi bakllavanë e ftohur.

Më pas lëreni të ftohet dhe të përthithë sherbetin.

Sa më shumë ta lejoni që të përthithë sherbetin aq më të shkrifëta bëhen petët. /Lajmi.net/