Petulla me mjaltë dhe arra – Receta e Korçës
Fantastike për t’u konsumuar në çdo kohë të ditës dhe aq të shijshme sa për të lëpirë gishtat, sot Petullat e Fshira janë shndërruar në një nga gatimet më të kërkuara në restorantet tradicionale shqiptarë.
Lifestyle
Petullat e Fshira janë ndër gatimet më speciale të kuzhinës tradicionale shqiptare, ku në përgatitjen e tyre spikat zona e qarkut të Korçës.
Të lehta për t’u përgatitur dhe fantastike për t’u servirur për familjen në mëngjes por ato mund të konsumohen në çdo kohë të ditës.
Të kombinuara me mjaltë e arra, shija e kësaj recete të përfshin tërësisht ndërsa të kënaq nepsin dhe oreksin.
Përbërësit
0.5 kg miell
1 gotë me qumësht
1 vezë
pak kripë
100 gr gjalpë
½ liter ujë
Një filxhan çaji me arra të thërrmuara
Mjaltë
Përgatitja
Në 0.5 kg miell hidhet 1 gotë me qumësht dhe 1 kokërr vezë, të cilat përzihen me pak kripë dhe ujë dhe përgatitet një brumë shumë i rrjedhshëm.
Në tiganin e vendosur në zjarr, pasi ai është nxehur dhe lyer me vaj me një beze të pastër, hidhet me garuzhde një sasi brumi duke e përhapur në të gjithë sipërfaqen e tiganit.
Tigani rrotullohet në të gjitha anët dhe masa lihet të piqet.
Në momentin kur petulla shkëputet lehtë nga tigani, kthehet nga ana tjetër. Kështu veprohet me të gjithë brumin e përgatitur.
Në një tigan skuqet 100 gr gjalpë. Hidhet pak sheqer dhe gjysmë litër ujë.
Pasi të ziejë pak uji, hiqet tigani nga zjarri dhe në të futen petullat një e nga një duke i lagur plotësisht.
Petullat e lagura vendosen njëra mbi tjetrën të ndara dhe të spërkatura me arra.
Pasi është radhitur sasia e petullave që dëshirojmë, u hidhen arra të shtypura sipër dhe futen për 5 minuta në furrë. Kur serviren ato spërkaten me mjaltë dhe me kanellë. /Lajmi.net/