Bëhet ekzaminim psikiatrik ndaj të akuzuarit që dyshohet se vendosi granata dhe bombola gazi në një lokali në Prishtinë
Mbrojtësi i të akuzuarit Artan Avdullahu, avokati Afrim Salihu ka kërkuar që për të mbrojturin e tij të bëhet ekzaminim psikiatrik, pasi sipas tij nuk ishte në gjendje të mirë mentale.
Lajme
Avdullahu po akuzohet se i shtyrë nga të akuzuarit Bekim Krasniqi, Shkëlzen Zariqi dhe Vedat Rexhepi kishte vendosur granata dore dhe bombola gazi në lokalin e të dëmtuarit Hajrulla Kryeziu, të cilat kishin shpërthyer duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Në seancën e së mërkurës, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, para fillimit të shqyrtimit fillestar, mbrojtësi i të akuzuarit Avdullahu, avokati Afrim Salihu ka thënë se kërkuesen për caktimin të një ekzaminimi psikiatrik e kërkon me arsyetimin se i akuzuari Avdullahu ishte duke u trajtuar që shtatë vite tek psikiatri.
“Kërkoj që ti bëhet një ekzaminim nga ana e mjekëve dhe të konstatohet nëse i njëjti është i denjë të vazhdojë më shqyrtimet gjyqësore dhe të konstatohet gjendja e tij mentale”, ka thënë avokati Salihu.
Mirëpo, propozimin e tij e ka kundërshtuar prokurori special Burim Qerkini, pasi sipas tij, që nga faza e procedurës paraprake apo edhe faza e hetimeve, nuk ekzistonte në shkresat e lëndës asnjë dokumentacion, që Avdullahu vuan nga ndonjë çrregullim mendor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për dallim nga prokurori, mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Emrush Kastrati dhe mbrojtësja e të akuzuarit Rexhepi, avokatja Lindita Keqekolla kanë mbështetur propozimin e avokatit Salihu, pasi sipas tyre që në fazat e hetimeve kishin vërejtur se i akuzuari Avdullahu kishte shfaqur simptoma shqetësuese sa i përket gjendjes së tij shpirtërore dhe shëndetësore.
Në këtë mënyrë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj aprovoi propozim e avokatit Salihu dhe sipas tij, gjykata do të kërkojë nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike që ndaj Avdullahut të bëhet një ekzaminim psikiatrik.
Pas raportit me shkrim të këtij instituti, gjykatësi Kurtaj tha se do të vendoset në lidhje me të akuzuarin Avdullahu dhe me caktimin e shqyrtimit fillestar.
Sipas aktakuzës së përpiluar me 22 dhjetor 2020, Artan Avdullahu po dyshohet se me 25 maj dhe me 7 shtator 2010, në hyrje të lokalit të të dëmtuarit Hajrulla Kryeziu, në lagjen “Dardania”, në Prishtinë, kishte vendosur dy herë radhazi granata dore dhe bombola gazi.
Në aktakuzë thuhet se me 25 maj 2020, Avudullahu kishte vënë dy granata dore dhe një bombolë gazi, ku njëra granatë sipas prokurorisë, kishte shpërthyer rreth orës 02:00 pas mesnate dhe tjetra ishte gjetur e pa shpërthyer.
Po ashtu, sipas aktakuzës me 7 shtator 2020, përsëri Avdullahu kishte vendosur një granatë dore dhe një bombolë gazi e të cilat kishin shpërthyer, duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm për jetën e njerëzve, pasurisë e tyre, si dhe ishin shkaktuar dëme materiale.
Ndërsa të akuzuarit Bekim Krasniqi, Shkëlzen Zariqi dhe Vedat Rexhepi po dyshohet se e kishin kërcënuar të dëmtuarin Kryeziu që të veproj në dëm të pasurisë së tij.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Avdullahu granatat e dorës dhe bombolat e gazit i kishte vendosur në lokalin e të dëmtuarit i shtyrë nga tre të akuzuarit të tjerë, me qëllim që i dëmtuari të tërhiqet nga prona e tij e cila gjendet në fshatin “Milloshevë”, e privatizuar në valën e 34 të privatizimeve të AKP-së.
Për këtë pronë, i dëmtuari Kryeziu kishte pasur 25% të sipërfaqes së përgjithshme, e cila përqindje ishte bazuar në bazë të marrëveshjes mes të dëmtuarit Kryeziu dhe të akuzuarit Krasniqi.
Për këto veprime, Avdullahu po ngarkohet me veprat penale “mbajtja në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, si dhe me veprën penale “detyrimi”, për të cilën vepër po akuzohen edhe Krasniqi, Zariqi dhe Rexhepi.