E zbulon miku i ngushtë: Allegri refuzoi Chelsean, Arsenalin, Realin dhe PSG-në

Trajneri Massimiliano Allegri është i papunë që nga largimi prej Juventusit në vitin 2019.

Sport

10/03/2021 08:21

Pas një pauze më shumë se një vit, trajneri ende s’është rikthyer në stolin e ndonjë skuadre edhe pse shumë klube kanë shprehur interesim, e ndër to edhe Real Madrid, transmeton lajmi.net.

“Los Blancos” e kanë kërkuar disa herë dhe këtë e ka zbuluar Giovanni Galeone, ish teknik dhe mik i afërt me Allegrin.

I pyetur pse nuk është në stolin e ndonjë skuadre që sa vite, Galeone zbuloi se Allegri ka pasur probleme serioze në familje, derisa gjithashtu tregoi se ka refuzuar klubet si Chelsea, Arsenal, Real dhe PSG.

“Arsyeja është e thjeshtë, për disa arsye serioze familjare i ka thënë jo klubeve të rëndësishme. Max i tha jo Chelseas, Arsenalit dhe Real Madridit. Tani dëshiron të rikthehet te ndonjë ekip i parë. Ai gjithashtu refuzoi PSG-në”, deklaroi ai.

Ish tekniku gjithashtu ka zbuluar edhe arsyen specifike pse e refuzoi ofertën e “Mbretërve”.

“Ai refuzoi Realin sepse më herët kishte refuzuar klubet e përmendura. I thashë: ‘Si mund të refuzosh këtë klub të rëndësishëm’. Përgjigja e Max me befasoi: ‘Nuk jam kloun, i kam thënë jo disa klubeve të tjera. Nuk mund të pranojë tjetër ofertë pas vetëm 10 ditëve. Unë nuk jam kloun”, përfundoi Galeone.

Ndërkohë, mbetet të shihet cila do jetë skuadra e re për Allegrin./Lajmi.net/