Hoxhaj deklarohet edhe njëherë: Rezultati i sotëm është mesazh i qartë, do jemi faktor stabiliteti
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj është deklaruar edhe njëherë rreth rezultatit të zgjedhjeve të sotme.
Lajme
Hoxhaj nëpërmjet një postimi në Facebook është shprehur se rezultati i sotëm është mesazh i qartë dhe se PDK do të jetë zë i fuqishëm i qytetarëve në Kuvendin e Kosovës, shkruan lajmi.net.
“Kosova dhe qytetarët e saj, përmes një procesi zgjedhor shembullor, dëshmoi për demokraci të konsoliduar dhe pjekuri politike. Populli i Kosovës ka folur përmes votës, dhe vullneti i tyre duhet respektuar. Rezultati i sotëm, që vë VV-në të parën dhe PDK-në të dytën, për ne është mesazh i qartë. Andaj, PDK do të jetë zë i fuqishëm i qytetarëve në Kuvendin e Kosovës, nga pozicioni i partisë udhëheqëse të opozitës dhe do të sigurohemi që qeveria e re t’i mbajë premtimet para qytetarëve.”, tha Hoxhaj.
Më tutje, Hoxhaj ka falënderuar votuesit, anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike të Kosovës.
Ai shprehet se PDK është treguar e fortë dhe e bashkuar dhe se ka dëshmuar pjekuri politike duke vazhduar të jetë faktor stabiliteti në vend.
“Dua që nga zemra t’i falënderoj të gjithë votuesit e Partisë Demokratike, të gjithë anëtarët dhe mbështetësit tanë. Jam krenar me unitetin dhe përkushtimin e pashembullt që keni treguar në një kohë të rëndë për ne. PDK në këto zgjedhje ishte e forte dhe e bashkuar. PDK edhe një herë dëshmon pjekuri politike, duke vazhduar të jetë faktor stabiliteti në vendin tonë.”, ka shkruar Hoxhaj. /Lajmi.net/