Komuna detyrohet ta tenderojë projektin milionësh që e kishte nisur Hysen Durmishi i Vetëvendosjes
Komuna e Prishtinës pret që të shpallë edhe një tender për disa punë që nuk janë kryer në Platonë mbi “kurriz” të lagjes Dardania në Prishtinë.
Lajme
Ish-drejtori i komunës së Prishtinës, Hysen Durmishi për një kohë të gjatë nuk ka qenë aktiv në Lëvizjen Vetëvendosje. Ai është rikthyer së fundmi si kandidat për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit, shkruan lajmi.net
Pasi LVV-ja kishte fituar mandatin për të qeverisur me kryeqytetin, Durmishi ishte emëruar drejtor i Infrastrukturës në mandatin e parë (2014 -2018). LVV-ja kishte fituar edhe mandatin e dytë, por Shpend Ahmeti nuk kishte pranuar që ta emëronte drejtor. Meqë ishte përfolur shumë për afera me tender dhe për një aferë me një prej punëtoreve të komunës, as LVV-ja nuk insistonte që ai të bëhej drejtor.
Komuna e Prishtinës, akoma po i vuan pasojat e qeverisjes së Durmishit, derisa ai po kërkon që të marrë një mandat për deputet.

“Ndërtimi i bulevardit mbi Kurriz” ka qenë projekti më i madhi që Durmishi synonte ta jetësojë, ani pse ai ishte planifikuar nga qeveria e LDK-së në vitin 2013, si pikë investive e buxhetit 2014-ës.
Lajmi.net ka mësuar që për këtë projekt akoma nuk është bërë pranimi teknik. Në Komunën e Prishtinës, thonë se projekti ka mbetur i pa përfunduar, dhe tash presin që të angazhojnë një kompani tjetër që të bëjë disa rregullime mbi Plato, ashtu siç kanë qenë në projekt.
“Kontrata për punimet ne platonë e “Kurrizit” është ndërprerë nga ana e Komunës se Prishtinës dhe kompania është paguar për punimet e përfunduara deri ne ndërprerjen e kontratës. Pjesa tjetër e punimeve, te cilat nuk janë përfunduar e qe parashihen ne projektin e revitalizimit te pllatosë se “Kurrizit” do te trajtohen me procedure shtesë te prokurimit”, thuhet në një përgjigje të Komunës së Prishtinës për lajmi.net.
Mësohet që të pa përfunduar kanë mbetur disa fontana që ishin paraparë në projekt. Por, lajmi.net për të mësuar detaje të projektit ka kërkuar qasje në dokumente publike nga Komuna e Prishtinës, e cila e ka në shqyrtim kërkesën.
Më 8 qershor 2015, kompania “Rexha&Loni” dhe Komuna e Prishtinës kishin nënshkruar kontratë për ndërtimin e Bulevardit mbi “Kurriz” në lagjen “Dardania” në vlerë prej 948 mijë e 825 euro, por tenderi ishte rritur edhe për rreth 1 milion euro. Pra, kjo kompani kishte ofertuar me një çmim të ulët.

Më 8 qershor 2015, kompania “Rexha&Loni” dhe Komuna e Prishtinës kishin nënshkruar kontratë për ndërtimin e Bulevardit mbi “Kurriz” në lagjen “Dardania” në vlerë prej 948 mijë e 825 euro. Punimet ishin paraparë të kryhen për 180 ditë pune, por ato kishin zgjatur disa vite.
Lajmi.net kishte gjetur se njëri prej disa shkaktarëve të zgjatjes së punimeve ka qenë projekti i hartuar gabimisht të cilin e ka hartuar kompania “Smart Projekt”.
Projekti si i tillë ishte pranuar nga Hysen Durmishi dhe i njëjti i ishte dhënë kompanisë “Rexha” për implementim. Me të filluar punimet mbi Plato, kompania “Rexha”, kishte hetuar se gjendja në teren nuk përkon me projektin. Projekti nuk ka qenë i mirë projektuar tek shtresat e poshtme të pllakave, pasi që ato kanë qenë më të trasha disa herë më shumë se sa kompania projektuese kishte prezantuar mostrat e veta. Duke parë gabimet drastike të projektit, Komuna e Prishtinës e ka korrigjuar atë dhe më pas e ka lidhur edhe një aneks kontratë me kompaninë “Rexha” në gjysmën e muajit nëntor 2015. Vlera monetare ka qenë 97,588.62 euro.
Në vitin 2016, Auditori Gjeneral kishte publikuar Raportin e auditimit për vitin 2015 të Komunës së Prishtinës.
Auditori kishte evidentuar se hartimi i projektit të Platosë ishte kontraktuar dy herë për të njëjtën punë. “ Ndërtimin e bulevardit mbi kurriz- 977,726euro, komuna kishte lidhur kontratë ku ishte përfshirë edhe pozicioni për hartimin e projektit pas ekzekutimit. Në këtë mënyrë ishte bërë kontraktim i dyfishtë për këtë shërbim, pasi që komuna kishte bërë hartimin e projektit para fillimit të procedurës së ekzekutimit, ndërsa kontrata për projektin ende nuk është finalizuar”, thuhet në Raportin e Auditorit Gjeneral
Auditori kishte shfaqur rrezikun që Kontraktimi i shërbimeve për pozicione të kryera rezulton me pagesa të dyfishta për të njëjtin shërbim, duke shkaktuar shpenzime të parregullta të parasë publike dhe dëmtim të buxhetit komunal.
Në Raportin vjetor për vitin 2018, i publikuar në gjysmen e vitit 2019 nga Zyra Kombëtare e Auditorit konstatohej se ai projekt nuk ishte përmbyllur akoma.
“Projekti i ndërtimit të Bulevardit mbi kurriz, me vlerë 977,725 euro, për të cilin është nënshkruar kontrata me 12.06.2015 është paraparë të përfundojë pas 180 ditësh, por kontrata nuk është përfunduar ende. Komuna nuk ka aplikuar penale. Në fund të vitit 2018 menaxheri i prokurimit bazuar në raportin e komisionit të vlerësimit të punimeve ka propozuar që kjo kontratë të mbyllet, por kjo nuk është bërë. Shkak i vonesave ishte menaxhimi joadekuat i kontratës, derisa për përfundimin e kontratës po pritet aprovimi i kryetarit”, thuhet në raportin e Auditorit.
Komuna akoma ka disa projekte të pa përfunduara të cilat kishin nisur nga Hysen Durmishi. I njëjti ka qenë i përfolur edhe për tender në kohë sa ka qenë drejtor. /Lajmi.net/