‘Vaksina’ për dezinformatat anti-vaksinë të COVID-19: Tri pyetjet që duhet t’ia bëni vetes

Nga fillimi i pandemisë, dezinformatat janë shpërndarë tok me të, madje në disa raste, ndoshta edhe më shpejt se vetë COVID-19, që nga këshillat gjoja mjekësore deri te teoritë e ndryshme konspirative që i kemi parë e lexuar në këtë vit. Tani, dezinformatat për vaksinën e COVID-19 kanë hyrë në një fazë tjetër. Pas shumë dezinformatave për zbulimin e vaksinës, tani, kur vaksina anti-COVID u zbulua dhe shtete të ndryshme po fillojnë ta përdorin atë, në media sociale kryesisht, por edhe në media tjera, kanë filluar të qarkullojnë dezinformata të ndryshme që ndërtojnë në shoqëri narrativ anti-vaksinë.

Opinion

19/12/2020 22:24

Autori: Dren Gërguri – Ligjërues në Departamentin e Gazetarisë/UP.

Tani, ndoshta edhe më shumë se sa më parë, është e domosdoshme të tregohemi të vëmendshëm e të kujdesshëm për burimet që i përdorim për informim, për informatat që i marrim në media, posaçërisht në media sociale. Ndaj çdo përmbajtjeje, është vendimtare të mbahet qëndrim kritik, të mënjanohen dyshimet vetëm pasi të jetë shterur verifikimi si proces tejet i rëndësishëm në gjithë këtë mes.

Gjigantët medial, bashkë në luftën ndaj dezinformatave

Më 8 dhjetor, në Britaninë e Madhe, një e moshuar u bë personi i parë në botë që mori vaksinën kundër COVID-19. Së fundi, gjigantë teknologjik dhe të informacionit janë bërë bashkë edhe në luftimin e dezinformatave për vaksinën. Në këtë iniciativë, përveç medieve tradicionale, BBC, Washington Post, Financial Times, Reuters, AP e AFP, janë të përfshira edhe mediet e reja, Facebook, Google, YouTube dhe Twitter. Kjo, gjithsesi është shpresëdhënëse, mirëpo nuk është e mjaftueshme për ta ndalë dezinformimin dhe, këtë e kanë dëshmuar tentativat e mëhershme. Facebook-u tha se do t’i fshijë postimet që përmbajnë dezinformim ndaj vaksinës, megjithatë, grupet anti-vaksinë tashmë kanë shtrirë rrënjët në këtë media sociale. Niemen Lab i Universitetit të Harvardit nënvizon se si grupet anti-vaksinë kanë rritur rrjetin virtual për 8 milionë përcjellës të ri në gjashtë muajt e parë të këtij viti. First Draft, në një studim të publikuar në muajin nëntor, ka gjetur se 84% e interaktivitetit të dezinformatave për vaksinën e kanë burimin në Facebook dhe Instagram.

‘Vaksina’ ndaj dezinformimit me tri pyetjet që duhet t’ia bëni vetes

Tri pyetjet apo ‘vaksinën’ ndaj dezinformimit e kemi që nga muaji prill i këtij viti, kur për herë të parë kam paraqitur metodën që i përshtatet më së miri dinamikës së krijuar nga qarkullimi i dezinformatave për COVID-19. Pra, ndaj çdo informacioni të cilit i ekspozohemi, para se ta besojmë duhet t’ia bëjmë vetes tri pyetje bazike. Pyetja e parë është kush është autori dhe a është i besueshëm? Pas çdo informacioni të publikuar qëndron një autor dhe është shumë e rëndësishme të kuptohet se kush është ai dhe a ka besueshmëri në shoqëri. Për shkak të relevancës së lajmit, informacionet e rëndësishme gjithmonë i gjeni në më shumë se sa një media, prandaj është e rëndësishme të kërkohet i njëjti lajm edhe në një media tjetër. Kjo është pyetja e dytë. Me këtë pyetje, duke lexuar informacionin e njëjtë te burime të ndryshme, kemi edhe një horizont më të gjerë të informacioneve që marrim, si dhe kontekst më të kompletuar. E treta pyetje që duhet t’ia bëjmë vetes është për burimet mbështetëse mbi të cilat ndërtohet informacioni.

A janë burime zyrtare? Kush janë burimet? A ofron informacioni edhe fotografi, video apo ndonjë fakt tjetër nga konteksti i lajmit.

Nëse arrijmë t’iu përgjigjemi këtyre tri pyetjeve kur marrim një informacion, atëherë pikëpyetjet rreth vërtetësisë së informacionit fillojnë të marrin përgjigjet e kërkuara dhe dilemat eliminohen, sepse vetëm te informacionet e vërteta mund t’i gjejmë përgjigjet e kërkuara. Pra, me këto tri pyetje, do të mësohemi si t’i çasemi informacioneve në media, si dhe do të mund të kuptojmë se ajo që e lexojmë është e vërtetë apo e rremë.

Publikuar në Hive-Mind.