Linjat ndërkombëtare të autobusëve ende të bllokuara, 360 të tjera janë në qarkullim
Situata pandemike që fillojë nga marsi i këtij viti, si pasojë e përhapjes së virusit COVID-19 shkaktoi dëme të mëdha thuajse në çdo sektorë.
Lajme
Të prekur nga kjo situatë për disa muaj radhazi ishin edhe linjat e autobusëve, shumë prej tyre të cilat destinacion të rregullt e kanë Prishtinën. Për disa muaj u ndalua qarkullimi në mënyrë të përgjithshme, teksa më vonë iu lejua qarkullimi vetëm disa linjave.
Lidhur me këtë, lajmi.net ka kontaktuar Zyrën për Informim të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, të cilët kanë bërë të ditur se tashmë linjat e autobusëve janë duke qarkulluar në mënyrë më të rregullt.
E gjithë kjo u mundësua në fazën e dytë të lehtësimit të masave nga institucionet përgjegjëse në vend.
“Stacioni i Autobusëve pas fazës së izolimit gjeneral ka filluar punën në fazën e dytë të lehtësimit të masave nga Qeveria. Në fillim numri i linjave të mbajtura ka qenë në numër shumë të reduktuar për shkak të kritereve të vendosura për transportuesit dhe numrit të vogël të udhëtarëve, por gradualisht me lehtësimin e masave edhe numri i linjave ka filluar të mbahet sipas orarit gjithashtu edhe numri i udhëtarëve është rritur”,ka thënë Shqipe Durmishi për lajmi.net.
Numri i linjave të autobusëve që qarkullojnë në këtë stacion është 360, e që sipas Durmishit, këto shifra nuk janë ende në kapacitet të plotë sipas rendit të udhëtimit të lejuar nga ministria e Infrastrukturës.
Edhe pse pandemia shkaktoi dëme të mëdha ekonomike, siç duket Stacioni i Autobusëve tashmë është në një situatë stabile, edhe pse në fillim të pandemisë patën probleme të mëdha sa i përket shpenzimeve.
“Si pasojë e pandemisë disa muaj ndërmarrja nuk ka krijuar të hyra, shpenzimet janë paguar nga mjetet e akumuluara të ndërmarrjes dhe subvencioneve të Komunës. Gjendja financiare në Stacion për momentin është stabile, linjat me lirimin e masave kane filluar të mbahen sipas orarit të rregullt, përveç atyre ndërkombëtare që po varen edhe nga kriteret e shteteve tjera për parandalimin e shpërndarjes së virusit”, tha ajo.
Kosova po vazhdon të përballet me situatën e krijuar si pasojë e virusit COVID-19, ku deri më sot numri i të infektuarve ka arritur në 17 mijë e 9 raste. Si pasojë e kësaj, Qeveria e Kosovës ndau disa milionë euro, në mënyrë që tu dalë në ndihmë bizneseve, si dhe qytetarëve në përgjithësi për humbjet që pësuan gjatë kësaj kohe.
Duhet përkujtuar paralajmërimet e ekspertëve se do të jetë mjaftë e vështirë të përballohen problemet ekonomike të cilat mund t’i vihen vendit, në rast të keqësimit të situatës pandemike, pasi që numri i të infektuarve veçse është në rritje./Lajmi.net/