Komuna të shqetësuar me qentë endacak

Këshilli i Kryetarëve ka mbajtur një takim virtual me përfaqësues të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinës të Kosovës (AVUK) dhe të Policisë së Kosovës në lidhjen me problemin e qenve endacak.

Lajme

15/10/2020 17:03

Në hapje të takimit Imri Ameti – Kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës tha se ky është një shqetësim i hershëm i komunave për problemin e qenve endacak, me të cilin po ndeshemi tashmë e një kohë të gjatë. Kemi ftuar këtë takim për të parë se ku jemi me këtë proces nga ana e AVUK-ut meqë në vitin 2018 pati marrë përgjegjësi dhe një fond prej milion eur nga Qeveria e Republikës së Ksoovës. Ne jemi në prag të dimrit kur qentë endacak janë më agresiv, sidomos ata që nuk janë trajtuar. Shqetësimi i kryetarëve me këtë rast është që të shohim se ku jemi me këtë proces dhe cilët janë hapat e AVUK-ut për këtë punë dhe çka pritet të ndodh me këtë proces në mënyrë që të mos kenë pasoja qytetarët tanë. Ne si Kryetarë të Komunave kërkojmë ta zgjedhim këtë çështje që të mos kemi ndonjë rast ku qentë sulmojnë ndonjë qytetarë sepse ne kemi përgjegjësi të përbashkëta.

Sadik Heta Drejtor i Drejtorisë për Shëndetin e Kafshëve në AVUK tha se ne si AVUK kemi nis projektin më 2018 lidhur me problematikën e qenve endacak, meqë komunat nuk kanë qenë në gjendje të menaxhojnë me qentë endacak dhe kjo ka qenë si fazë emergjente. Atë kohë qeveria ka ndarë 1.3 milion për vitin 2018 dhe tashmë ky projekt vazhdon deri në maj të vitit 2021. Projekti nuk ka për bazë eliminimin e qenve por ndalimin e shumimit të tyre meqë edhe ligji nuk e lejon eliminimin e tyre. Vetëm qentë që janë agresiv dhe që kanë sëmundje vendosen në gjumë të përjetshëm. Qentë që kanë numra në vesh janë të trajtuar dhe të vaksinuar. Pra, në këtë fazë jemi duke bërë trajtimin e qenve endacak meqë problemi është shqetësues dhe ky trajtim kërkon një qasje gjithëpërfshirëse. Në anën tjetër ne si AVUK, nëse veprojmë të vetëm, nuk mundemi ta zgjidhim problemin por duhet të kyçen edhe komunat, shoqatat edhe pronarët e qenve.

Në anën tjetër Afrim Ahmeti – Drejtor i Operacioneve në Policinë e Kosovës tha se ky është problem serioz dhe që nevoitet një plan emergjent për të pasur një zgjidhje e që kjo zgjidhje duhet të gjindet së bashku me gjitha institucionet.

Problemin tejet serioz me qentë endacak nëpër gjitha komunat e Kosovës e kanë ngritur me diskutime gjithë kryetarët e Komunave. Ata kanë kërkuar nga AVUK zgjidhje konkrete meqë përgjegjësia dhe buxheti është ndarë tek AVUK-u. Ata kanë vënë në pah se shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha dhe në kohën e dimrit ekziston mundësia që të sulmohen qytetarët e sidomos fëmijët nga qentë endacak.

Kryetarët si Naim Ismajli -Kryetar i Shtimes, Shpend Ahmeti – Kryetar i Prishtinës, Bekim Jashari – Kryetar i Komunës së Skenderajit, Ragip Begaj – Kryetar i Malishevës, Qëndron Kastrati – Kryetar i Kamenicës, Nexhmi Rudari – Nënkryetar i Komunës së Podujevës, Smajl Latifi – Kryetar i Komunës së Rahovecit etj. kanë diskutuar dhe kanë qenë tepër të shqetësuar me situatën në komuna me qentë endacak dhe menaxhimin e këtij problemi nga AVUK-u.

Në fund kryetari i AKK-së z.Imri Ahmeri kërkoj ndonjë plan konkret nga ana e AVUK-ut për këtë problematikë meqë situata është shumë serioze dhe duhen veprime konkrete sidomos në muajt e vjeshtës dhe dimrit.

Nga ana e tij përfaqësuesi i AVUK-ut z.Heta tha se ne nuk mund të dalim jashtë legjislacionit sepse legjislacioni që është në fuqi nuk na lejon vrasjen dhe eliminimin e qenve në mënyrë masive.
Aktualisht ai tha se AVUK vetëm është duke trajtuar qentë endacak me kastrim, sterilizim vaksionim dhe lëshim e tyre aty ku janë marë./Lajmi.net/