40 pacientë me COVID-19 po trajtohen në spitalin e Pejës, të infektuar edhe disa mjekë
Në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë aktualisht janë duke u trajtuar 40 pacientë me COVID-19, kurse nga virusi janë prekur 3 mjekë specialist, 1 bio inxhiner dhe në pritje të rezultateve janë edhe shtatë pjesëtarë të personelit.
Lajme
Spitali i Përgjithshëm në Pejë bën të ditur se 4 pacientë janë me oksigjenoterapi ndërsa 36 pacientët tjerë janë në gjendje stabile.
“Aktualisht po trajtohen 40 pacientë dhe nga këta 39 pacientë janë të konfirmuar përmes testit me Covid-19 ndërsa 1 pacientë është në pritje të rezultatit të testit. 4 pacientë janë në oksigjeno terapi ndërsa që pacientët e tjerë kanë gjendje stabile. Për shkak se në Repartin Infektiv nuk ka më kapacitet për pranim të pacientëve një pjesë e pacientëve janë shtruar në Spitalin e Mushkërive”, thuhet në njoftim.
Më tej, në njoftim bëhet e ditur se Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka ndërmarr masa organizative të transferimit të infermierëve nga Repartet tjera në Repartin e Infektives në mënyrë që shërbimet shëndetësore të ofrohen sa më mirë.
Ndryshe, që nga fillimi i pandemisë COVID-19 e deri më tani në Kosovë më coronavirus janë infektuar 4 mijë e 307 persona, 2 mijë e 118 janë shëruar kurse janë regjistruar edhe 94 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje tjera shoqëruese. /Lajmi.net/