Flet vëllai i të miturës, tregon në detaje se si ndodhi vrasja e dyfishtë në Pejë

Një vrasje e dyfishtë e ndodhur të shtunën në Vitomiricë të Pejës, ka tronditur Kosovën.

Lajme

14/06/2020 13:44

Një ngjarje e rëndë ka tronditur të dielën Kosovën. Sipas Policisë dhe Prokurorisë Themelore, të shtunën në fshatin Vitomericë të Pejës, një 58-vjeçar dyshohet se e ka vrarë një 17-vjeçare e më pas është vetëvrarë.

Megjithëkëtë, rrëfimi i familjarëve të vajzës së mitur e cila dyshohet se u vra nga fqinji i saj, jep detaje të reja sa i përket kësaj ngjarjeje.

Vëllai i viktimës, Bajrami, ka treguar se (R.B, 58-vjeçari), personi i dyshuar për vrasjen e 17-vjeçares (A.R), kishe pak ditë që kishte ardhur nga Gjermania në Kosovë.

Sipas, Bajramit, vëllait të 17-vjeçares, i dyshuari për vrasjen e motrës së tij, 58-vjeçari me dhunë në ora 04:30 të mëngjesit kishte hyrë në shtëpinë e tyre dhe e kishte marrë 17-vjeçaren ku pastaj e kishte dërguar atë në një shtëpi tjetër.

Ajo në shtëpinë jo shumë larg vendit ku për vite kishte jetuar ishte gjetur pa shenja jete të shtunën në mbrëmje nga një familjare. I vdekur në atë shtëpi u gjet edhe 58-vjeçari.

“Rreth orës 4:30 në mëngjes ka ardhur ky kojshia e kish marrë motrën prej shtëpisë me zor. E kish marrë e kish qitë në shpinë e vet. Në ora 06:00 në mëngjes u çova me shku në punë, shoqja më tha që  (A..) nuk është në shpi. Pastaj rreth orës 16:30 më ka thirrë djali i axhës në telefon e më tha që e kemi gjetë (A,…), por (R.B), ky kojshia e ka vra edhe ata edhe vetën”, ka deklaruar për portalin Indeksonline, Bajrami, vëllai i vajzës së mitur e cila u gjet sot e vdekur në një shtëpi në fshatin Vitomericë të Pejës.

E vëllai i viktimës, vajzës 17-vjeçare, Bajrami, tregon se fqinji i tyre R.B kishte pak ditë që kishte ardhur nga Gjermania për në Kosovë. madje thotë se raportet i kishin pasur të mira me 58-vjeçarin.

“Ai e ka rrite vet at çikë. Shumë të mira i kemi pas raportet. Ne kemi qenë jetimë, ai na ka rritë. Që 5 ditë ka ardhë në pushime edhe e ka ba këtahen. Ai ishte fjalos me familjen e vet atje, edhe ka ardh këtu. Qysh me i lan familjet në gjak. Ka ardhë këtu, dhe ma vrau motrën. Familjarët e tij e din më së miri se cka ka ndodhë. Motra ime ka jetu këtu. Motra kurrë s’më ka njoftua për ndonjë fjalosje. Ai ka qenë i martun, ka fëmijë. I vetëm ka qenë në Kosovë. Ka ardhur para 5 ditëve. Asnjëherë nuk kemi pas probleme. Në 04:40 të mëngjesit ai ka ardhur e ka marrë motrën me zor”, ka sqaruar ai.

Në anën tjetër Prokuroria Themelore e Pejës është duke kryer hetimet e kësaj ngjarje tragjike për të zbardhur edhe motivet e vrasjes së dyfishtë që ndodhi të shtunën në Vitomiricë të Pejës.

Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka konfirmuar për lajmi.net, se viktimat ishin fqinj mes vete.

“Janë kojshi, burri është 58 vjeçar ndërkaq viktima tjetër është një vajzë 17 vjeç. Motivet nuk dihen ende, rasti është duke u hetuar”, ka thënë Gashi, zëdhënës i policisë së Pejës.

Ndërkaq, Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore të Pejës, ka konfirmuar për lajmi.net, se trupat e viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Sipas Nikçit, dyshimet e para janë se fillimisht 58-vjeçari ka vrarë vajzën 17-vjeçare e më pas ka kryer vetëvrasje.

“Me të pranuar informatën departamenti i krimeve të rënda në Prokurorinë Themelore të Pejës, prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me njësitet relevante me ç’rast trupat e viktimave dërguar në obduksion. Gjithashtu arma dhe gëzhojat që janë gjetur në vendin e ngjarjes janë dërguar për ekzaminim. Po ashtu janë duke u ndërmarrë edhe veprime hetimore me ç’rast pasi t’i pranojmë rezultatet nga autopsia dhe ekzaminimi i armëve dhe veprimeve të tjera do të kuptojmë shkaqet dhe motivet e këtij rasti tragjik. Fillimisht dyshohet se është privuar nga jeta me armë zjarri njëra viktimë në këtë rast femra, më pas dyshohet se është kryer edhe vetëvrasja nga personi që e ka kryer vrasjen”, deklaroi Nikçi. /Lajmi.net/

Lexo edhe:

Dy viktimat në Pejë ishin komshinj, dyshohet se 58-vjeçari së pari vrau 17-vjeçaren e më pas bëri vetëvrasje