Drejtuesit e KOK-ut pritën rektorin e UP-së, Marjan Dema dhe prorektoren, Myrvete Badivuku

Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), presidenti Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, kanë pritur sot drejtuesit e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP), rektorin Marjan Dema dhe prorektoren, Myrvete Badivuku.

Sport

10/06/2020 14:40

Presidenti Hasani, duke falënderuar rektorin Dema dhe prorektoren Badivuku për vizitën, theksoi se KOK prej vitesh ka bashkëpunim të frytshëm me UP-në dhe ky bashkëpunim u thellua edhe javën e kaluar, me rastin e shënimit të 5 qershorit – Ditës Botërore të Ambientit dhe Sportit, ku komunat e Kosovës mbollën nga një pemë në kampusin e UP-së.

Të dyja palët u pajtuan që të mbillen edhe 200 pemë të tjera në këtë kampus, të cilat do të mbillen gjatë dy muajve të ardhshëm dhe që lidhen me 23 qershorin – Ditën Olimpike, me shtyrjen e Lojërave Olimpike Tokio 2020, si dhe aktivitete tjera, të cilat shkaku i pandemisë Covid-19, nuk do të mbahen sipas planprogramit të paraparë.

Rektori Dema përgëzoi drejtuesit e KOK-ut për punën dhe bashkëpunimin e ndërsjellë, duke ofruar mbështetjen e plotë të UP-së, për çka tha se edhe institucioni që drejtojnë mbështet kujdesin për një ambient të pastër.

Të dyja palët në shenjë respekti për njëra-tjetrën shkëmbyen dhurata modeste. /Lajmi.net/