Dhomat e Specializuara: Nevoja për legjitimitet lokal

Shkruan: Andrea Trigoso

Opinion

09/06/2020 12:08

Njoftimi i Prokurorit për qëllimin e ngritjes së procedurave, në shkurt të këtij viti, rizgjoi shpresën e bashkësisë ndërkombëtare në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK), kryesisht për shkak se edhe gati pesë vite që nga fillimi i punimeve është arritur shumë pak progres në hetimin dhe ndjekjen e rasteve. Megjithatë, popullata e Kosovës nuk e ndan edhe aq entuziazmin e bashkësisë ndërkombëtare,pasi mbizotëron një përshtypje se suksesi i këtij institucioni jodetyrimisht do të nënkuptojë edhe ndryshim në kontekstin e drejtësisë tranzicionale në shoqërinë kosovare.

Një studim i udhëhequr nga PAX, i realizuar në Kosovë në vitin 2017, mbi perceptimet e opinionit publik për DHSK, kishte konkluduar se shumica dërrmuese e shqiptarëve të Kosovës e shohin si të padrejtë mandatin e DHSK-në që do të ndjekë vetëm krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Arsyeja prapa këtij perceptimi është bindja se ndjekja e kryesve të supozuar, shqiptarë me lidhje me UÇK-në, e njollosë historinë e luftës së drejtë të bërë në mbrojtje të civilëve shqiptarë që po sulmoheshin nga forcat serbe e për të cilët ende nuk ka pasur pasoja të qarta legale. Për më tepër, pjesëmarrësit në studimin e mësipërm shprehën shqetësimin edhe për atë se derisa shqiptarët nuk mund të aplikonin për poste në këtë gjykatë, qytetarët serbë mund ta bënin këtë. Tutje, pjesa më e madhe e shqiptarëve të Kosovës pajtoheshin që ligji për themelimin e DHSK-së është miratuar nën presion nga aleatët ndërkombëtarë të Kosovës dhe se ky më tepër ishte imponim i padrejtë nga jashtë sesa një iniciativë e brendshme. Këtë bindje e ndajnë edhe pjesëmarrësit serbë në këtë studim që kishin ndjenjën e përgjithshme se pasi DHSK-ja është imponuar nga bashkësia ndërkombëtare, (kjo) nuk ka dëshirë të sinqertë për të bërë drejtësi, por më tepër (është) një nevojë të aleatëve ndërkombëtarë të Kosovës që të pastrojë imazhin e liderëve politikë të dalë nga UÇK-ja e që tani janë në pushtet. Madje, serbët e Kosovës janë shumë skeptikë se DHSK-ja do të sjellë drejtësi për viktimat serbe, sepse ata kanë humbur besimin në mekanizmat e drejtësisë pasi kanë parë dështimin në këtë rrafsh të sistemeve të drejtësisë ndërkombëtare e vendore.

Ky studim konfirmoi mungesën e legjitimitetit lokal të DHSP në sytë e popullatës së Kosovës. Ky refuzim lokal mund të përmblidhet me pak fjalë në katër shkaqe:

1. Presioni ndërkombëtar ishte elementi kryesor që solli krijimin e DHSK-së;

2. Dinamika e drejtësisë së njëanshme pasi DHSK ndjekë vetëm krimet e kryera nga pjesëtarët e UÇK-së, të cilët shumica e kosovarëve i shohin si luftëtarë për liri;

3. Përshtypja se iniciativat e mëparshme të drejtësisë ndërkombëtare si Tribunali për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (Gjykatat e UNMIK-ut) si dhe Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) kanë dështuar të sjellin drejtësi dhe nuk kanë kontribuar në rindërtimin e shoqërisë kosovare; dhe

4. Mungesa e përkrahjes politike nga autoritetet e Kosovës për DHSK-në, e që më 2018 madje sollën edhe përpjekjen për të abroguar ligjin që krijoji DHSK-në.

Shtrohet pyetja se, pasi DHSK operon në Hagë dhe ka një natyrë hibride, atëherë pse është aq thelbësore të ketë legjitimitet lokal?

Në Kosovë lufta ka lënë shoqërinë të shkatërruar dhe çarjet mes serbëve e shqiptarëve janë ende shumë latente.Padyshim se ky është një kontekst i drejtësisë tranzicionale dhe masat e marra në këtë rrafsh, sipas konceptit normativ, duhet të synojnë t’u sjellin qytetarëve pranim dhe besim qytetar si qëllime afatmesme; dhe pajtim e demokraci si qëllime finale. Këto qëllime janë të ndërlidhura dhe kanë marrëdhënie të dyanshme. Por, për shkak të hapësirës së kufizuar, ky shkrim do të fokusohet në radhë të parë në besimin qytetar dhe pajtimin, në raport me legjitimitetin lokal.

E para, për të kuptuar marrëdhënien në mes këtyre koncepteve dhe DHSK-së, është e nevojshme që së pari t’i definojmë këto. Suchman legjitimitetin e përshkruan si “përshtypje apo supozim i përgjithshëm se veprimet e një entiteti janë të dëshirueshme, të duhura dhe të përshtatshme në kuadër të një sistemi të konstruktuar të normave, vlerave edhe bindjeve”. Prandaj, legjitimiteti lokal, në këtë rast, është perceptimi i popullatës kosovare se DHSK është i dëshirueshëm dhe u përgjigjet vlerave dhe bindjeve të tyre.

Besimin qytetar De Greiff e përshkruan si “prirje që zhvillohet ndër qytetarët që nuk e njohin njëri-tjetrin e të cilët janë pjesëtarë të të njëjtit komunitet vetëm në kuptim të të qenit  bashkanëtarë të komunitetit të njëjtë politik”. Mekanizmi i drejtësisë që në fakt i kontribuon tranzicionit duhet të ritheksojë se viktimat e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit janë poseduesit e të drejtave dhe duhet të rivendosë rendin e normave që kryesit e krimeve kanë dhunuar. Një gjykatë do të dëshmojë vlerën e vet duke përcaktuar se askush nuk është mbi ligjin dhe se duke vepruar kështu do të ndihmojë në vënien e besimit në sistem dhe, nëse funksionon mirë, edhe do të rrisë besimin në sistem dhe në mes qytetarëve e të cilët do ta shfrytëzojnë atë për t’i zgjidhur dallimet në mes vete. Si rrjedhim, nëse DHSK gëzon legjitimitet lokal, atëherë do të shihet si institucion i besueshëm që e kupton sistemin shoqëror të normave, vlerave e bindjeve dhe që mundet të gjejë zgjidhje për dallimet që lufta ka lënë ndër qytetarët e Kosovës.

Më tutje, de Greiff pajtimin e përshkruan si “gjendje në të cilën qytetarët mund t’i besojnë njëri-tjetrit si qytetarë, përsëri (apo nga fillimi)”. Megjithatë, pasi marrëdhënia në mes të këtij nocioni dhe drejtësisë tranzicionale është kompleks, më e shumta që masat e drejtësisë tranzicionale mund të bëjnë në këtë aspekt është të kontribuojnë që institucionet të bëhen të besueshme dhe të mund të llogaritet në to. DHSK, duke mos pasur legjitimitet lokal, ka neglizhuar tërësisht dhe nuk ka përfillur fare këtë qëllim, dhe – edhepse është gjykatë hibride që supozohet se është më e afërt me kontekstin vendor dhe buron nga autoritetet lokale–poe ndjek të njëjtën rrugë të dështimin si edhe Tribunali i Hagës që ishte tribunalad-hoc i krijuar nga Këshilli i Sigurimit të KB në NewYork e që asnjëherë nuk arriti të ketë legjitimitet lokal në vendet e ish-Jugosllavisë.

Rrjedhimisht, me qëllim që të arrijë besimin qytetar dhe pajtimin, dhe që vërtetë të kontribuojë në tranzicionin në Kosovë, DHSK duhet të dëgjojë dhe të reagojë ndaj kërkesave që shtron legjitimiteti lokal, përndryshe do të mbetet thjeshtë një ndërmarrje akademike në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, e dënuar të kënaq bashkësinë ndërkombëtare por pa ndikim real në shoqërinë lokale të cilën është dizajnuar ta mbrojë.

Lajmi i mirë është se DHSK ende ka kohë të fitojë legjitimitet lokal dhe të ketë ndikim real në shoqërinë kosovare. Aktivitetet e fundit të Prokurorisë kanë kthyer vëmendjen përsëri në DHSK dhe, me pak vullnet politik, mund të implementohen disa masa që kanë për qëllim përmirësimin e legjitimitetit lokal dhe arritjen e qëllimeve të drejtësisë tranzicionale të përmendura më lartë. Këto masa duhet të përfshijnë:

1. Zgjerimin e mandatit të DHSK që të hetojë edhe sulmet serbe, pasi ndjekja e krimeve të kryera nga të dyja palët në konflikt do të ndërtojë besim ndër qytetarët e të dy grupeve etnike dhe do të bëjë Gjykatën të besueshme;

2. Përfshirja e kosovarëve ndër të punësuarit dhe gjykatësit në DHSK, të cilët për shkak të të kuptuarit unik të nuancave më të thella të realiteteve në terren, kanë mendim më të saktë të asaj se çfarë nënkupton legjitimiteti lokal për Kosovën si dhe i kuptojnë më mire faktet e hetuara dhe të ndjekura nga DHSK;

3. Tejkalimi i procedimeve në fshehtësi, duke i bërë ato dhe çdo informatë lidhur me to më të hapura për publikun. Deri tani, kjo fshehje vetëm sa ka rritur distancën në mes DHSK-së dhe popullit të Kosovës, që është pasuar me mungesë të besimit në këtë institucion;

4. Ndërtimi i urave nëpërmjet iniciativave lokale. Drafti i Aktit Normativ për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtim në Kosovë mund të jetë një mundësi për të vënë komunikim dhe për të punuar së bashku në një mekanizëm lokal.

Në fund, është kruciale që Tribunalet Penale Ndërkombëtare të zhvendosin vëmendjen nga bashkësia ndërkombëtare tek kontekstet specifike të vendeve ku kanë ndodhur krimet, pasi aty gjendjet arsyeja për çfarëdo veprimi që ndërmarrin ato. Në rastin e Kosovës, është absolutisht e nevojshme që të garantohet që Drejtësia Penale Ndërkombëtare gjen vend në skenën e komunitetit kosovar në tranzicion dhe ka ndikim real në njerëzit e prekur nga lufta. Është koha që DHSK të shikohet me sytë e Prishtinës e jo të Hagës.

[Andrea Trigoso është juriste e kualifikuar me përvojë në Drejtësinë Penale Ndërkombëtare. Aktualisht është duke ndjekur studimet postdiplomike në Drejtësinë Tranzicionale]

Link: http://opiniojuris.org/2020/06/08/the-kosovo-specialist-chambers-in-need-of-local-legitimacy/

Andrea Trigoso