Shprehia e zhvlefshmërisë së monumenteve kulturore

Shkruan: Besnik Gashi

Opinion

27/05/2020 12:00

Ardhja e modernizmit në Francë përgjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë bëri që, nën petkun e zgjerimit urban dhe konstruktimit të një infrastrukture të re, pushtetarët francez të rrënonin një sërë monumentesh kulturore. Pasojat e kësaj i vërejti një shekull më vonë historiani Michael Greenhalgh, i cili në librin e tij “Shkatërrimi i trashëgimive kulturore përgjatë shekullit të 19-të në Francë: Gurët e vjetër kundër Identiteteve Moderne” shkruan se reformacioni i këtillë urbanistik ndryshoi identitetin kulturor të Francës. Madje, Greenhalg shkon më larg, duke e quajtur veprimin e Francës moderne si “amenzi bashkëkohore”. “Amnezia bashkëkohore” mund ta ndjekë edhe Kosovën në këtë aspekt, në rast se pushteti i nivelit lokal e qëndror nuk i mban nën kontroll apetitet e ndërmarrjeve private të ndërtimit dhe nuk e promovon më shumë vlerën e monumenteve kulturore.

Kinematografia e Hollivudit, sa herë që tenton të tmerrojë audiencën me skenarë apokaliptikë, priret që në filma të dominojnë skenat e shkatërrimit të objekteve kulturore. Shkatërrimi i këtyre objekteve, de facto, në këta filma, nuk paraqitet vetëm si shkatërrim i popullit që jeton në atë periudhë, por i brezave të tërë. Skenarë të ngjashëm të shkatërrimeve të monumenteve kulturore, ani pse jo me përmasa apokaliptike, janë parë edhe në Kosovë. Për t’u jetësuar kjo, nevojitet pak kontekst.

Hani i familjes Mullafazliu në Prizren pesë vite më parë u rrënua me miratimin e autoriteteve të nivelit lokal e qëndror. Ndërtesa konsiderohej si ndoshta e vetmja e llojit të vet në mesin e monumenteve të tjera kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, atëbotë, arsyetonte vendimin duke thënë se objekti kulturor nuk kishte status të mbrojtjes së përkohshme. Pavarësisht kësaj, Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit përkufizonte se: “Edhe objektet e rralla ose objekte me vlerë të veçantë marrin statusin e objektit nën mbrojtje… Andaj nuk mund të rrumbullakohen me numra objekte me vlerë dhe se ato që nuk janë në listë nuk kanë vlerë”. Disa ditë më vonë pas shkatërrimit, mediet raportonin se ajo zonë po shfrytëzohej për parkimin e veturave të vizitorëve që vinin në festivalin “Dokufest”.

Pak kilometra më tutje, dy vite më vonë, pa lejen e autoriteteve lokale, një firmë ndërtimi rrënoi shtëpi-monumentin e familjes Myftiu. Monumenti datonte që nga 1859-a. Siç edhe ende figuron në uebfaqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ky objekt i lashtë gjendej nën mbrojtje të përkohshme të shtetit. Rrëzimi i këtij objekti kulturor do iu bashkëngjitej listës prej 30 monumenteve të tjera që janë rrënuar apo kanë pësuar tjetërsim të pakthyeshëm.

Fati i keq i trashëgimisë kulturore në Kosovë nuk përfundon këtu. Monumentet historike në vend nga politika po trajtohen në dy ekstreme: po tjetërsohen ose po neglizhohen.

Një rast i freskët i tentimit për tjetërsim të një objekti kulturor është kthimi i Kalasë së Vushtrrisë në restaurant. Për monumentin historik më të rëndësishëm të zonës, që përbën struktura për të cilat mendohet se datojnë që nga shekulli II, u arrit një marrëveshje që Kalaja të shërbente për qëllime komerciale. Marrëveshja nuk u bë publike, ndonëse mediet raportonin se afaristi që mëtonte ta pronësonte objektin kulturor kishte lidhje të afërta familjare me kryetarin e atëhershëm të Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulakun. Presioni publik nga shoqëritë civile bëri që marrëveshja të anulohej.

Ekstremi i dytë kundrejt trajtimit të objekteve kulturore nga ana institucionale zë vend në Prekaz, më saktësisht tek kompleksi memorial “Adem Jashari”. Përkundër fondeve të ndara për konservimin dhe ruajtjen e shtëpisë së rezistencës, si dhe projektligjit të veçantë të miratuar më 2018-ën nga legjislatura e gjashtë, monumenti kulturor nuk është rinovuar asnjëherë në këto 22 vitet e fundit. Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale ka vlerësuar se nevojiten 22 milionë euro për restaurimin e kompleksit të Jasharëve.

Hiç trajtim më i mirë nuk i është rezervuar as Kullës së Sylejman Vokshit prej pushtetit të nivelit lokal në Gjakovë. Përveç se ka mbetur në mëshirën e fatit, pa u restauruar, përreth zonës janë konstruktuar ndërtesa të larta, me miratimin e Komunës së Gjakovës, që rrezikojnë degradimin e mëtutjeshëm të objektit kulturor.

Në anën tjetër, asnjë aset i trashëgimisë kulturore në Kosovë nuk ka sistem të mbrojtjes kundër zjarrit të instaluar përbrenda objektit, gjë që cënon seriozisht objektet e vjetra të trashëgimisë kulturore. Një numër i madh i shteteve në Evropë rishikuan masat mbrojtëse kundër zjarrit në ndërtesa me rëndësi të veçantë kulturore, pas përfshirjes së zjarrit të Katedrales Mesjetare, Notre Dame, në Paris.

Por, si do mund të tejkalohej kjo? Në mënyrë që t’u shmanget një “amnezie bashkëkohore”, instancat qeveritare dhe shtetërore duhet të fillojnë krijimin e vetëdijes dhe idesë për promovim tek gjeneratat e reja. Pra, të përfshijë në faza sa më të hershme shkollimi materiale që ndihmojnë në ngritjen e vetëdijes mbi ruajtjen e tradicionit kulturor në përgjithësi. Ndër të tjera, pushteti lokal dhe ai qëndror duhet të mbajë nën kontroll apetitet e ndërmarrjeve private të ndërtimit, respektivisht të mos lejojë ndërtimet e larta pranë objekteve kulturore, e ta merr pronësinë e monumenteve nga ta. Gjithashtu, institucionet lokale e qëndrore do duhej të zbatonin maksimalisht kuadrin legjislativ mbi të drejtën e trashëgimisë kulturore, në mënyrë që të mos lejoheshin përsëritje të skenave të tilla sikurse në rastin e shtëpi-monumentit në Prizren. Kush e harron të djeshmen, nuk ka çfarë t’ia nisë të nesërmes.

(Opinioni është individual dhe nuk e përfaqëson politikën editoriale të mediumit. Autori është gazetar i Lajmi.net)