Ministria ia merr Trust-it 50 milionë euro, bëhet emetimi i letrës me vlerë

Ministria e Financave dhe Transfereve njofton se ka përfunduar me sukses negociatat me Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës për emetimin e Letrës me Vlerë të Republikës së Kosovës (Obligacion), përmes plasimit direkt, në shumë prej 50 milionë eurove dhe me një maturim 10 vjeçar, efektiv nga data 29 prill 2020.

Lajme

30/04/2020 15:22

Obligacioni do të paguajë interes gjysmë-vjetor dhe është regjistruar në regjistrin elektronik në Bankën Qendrore të Letrave me Vlerë të Republikës së Kosovës. Norma vjetore fikse e interesit (kuponit) në obligacion në 3.95%.

Marrëveshja e arritur bazohet në interesin e qytetarëve të Kosovës dhe interesin e kontribuuesve të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës dhe ka parasysh nevojën për përballimin e pasojave të luftës ndaj pandemisë COVID 19 si dhe investimin e arsyeshëm të kursimeve pensionale në përputhje me interesin e kontribuuesve, me kushte të arsyeshme në aspektin e borxhit publik, në përputhje me legjislacionin në fuqi./Lajmi.net/