Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike esenciale për t’i shpëtuar bizneset nga falimentimi

Kosova tash e afër dy muaj ka pezulluar shumicën e aktiviteve ekonomike për shkak të pandemisë globale COVID-19.

Lajme

30/04/2020 20:45

Ndërsa përveç virusit COVID-19, në Kosovë por edhe në botë është ngritur alarmi për çështjen e ekonomisë dhe pasojat që mund të ketë pandemia në ekonomi, shkruan lajmi.net.

Kosova, ka ndërmarrë hapat nëpërmjet një Pako Emergjente ku parashihet të paguhen punëtorët e sektorit privat por nga njohësit e ekonomisë kjo është parë si e pamjaftueshme.

Në anën tjetër, po kërkohet do të krijohet një Pako Emergjente e rimëkëmbjes ekonomike pas kalimit të pandemisë.

Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu për lajmi.net ka thënë se Pako Emergjente ka qenë më tepër sociale sesa ekonomike.

“Jemi të vetedijshëm që kjo pandemi me përmasa botërore janë të goditura të gjitha vendet dhe ne jemi të shqetësuar për aspektin ekonomik në Kosovë është një eufori ku kërkohet zbatimi i disa masave rigoroze në vende të tjera, por në Kosovë duhet të kemi maturi dhe analizë dhe të bëhet më tepër sesa që flitet. Ajo që duhet të thuhet është se nga Komiteti i Biznesit është kërkuar Pako Emergjente dhe të ketë pagesë së paku 170 euro për të punësuarit por po e shohim se një pako e tillë nuk është ekzekutuar dhe është e mbështetur më tepër në aspektin social”, tha Gërxhaliu për lajmi.net.

Më tutje, Gërxhaliu është shprehur se duhet t’i jepet interes pakos për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës.

“Neve nuk duhet të na interesoj kjo pako, neve duhet të na interesojë pakoja për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës dhe në këtë drejtim Kosova falë një agjende të stërngarkuar ekonomike po i lë anash agjendat ekonomike dhe në këtë pikë më së shumti po goditet sektori privat”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu tha se Kosova duhet të mendojë për rihapjen e shpejtë të bizneseve dhe duhet të jetë në hap me vendet e rajonit.

Ai gjithashtu shtoi se Kosva duhet të krijojë partneritet dhe të kërkojë ndihmë nga institucionet financiare ndërkombëtare.

“Kosova nuk ka nevojë vetëm të sanohen dëmet ekonomike nga pandemia, por duhet të mendohet edhe një rritje ekonomike dhe duhet të kemi hapje të të bërit biznes dhe ndërmarrësi sa më shpejt që është e mundur dhe duhet t’i kapim në hap vendet e rajonit dhe nuk duhet t’i lejojmë të marrin primatin ekonomik. Duhet të bëhet sa më shpejtë rihapja e punishteve dhe ndërtimtarisë sepse ju e dini se ka efekt të madh zingjiror sepse aty ku ka investim, ka edhe shfrytëzim të produkteve vendore dhe punësim më të madh. Në këtë drejtim duhet të bëhet më tepër, mbi të gjitha duhet të forcohet partneriteti me institucionet financiare ndërkombëtare”, tha Gërxhaliu.

E Ministria e Shëndetësisë në koordinim me ministritë e tjera ka hartuar planin prej 5 fazash të lehtësimit të masave kundër koronavirusit që do të pasojnë edhe me hapjen graduale të veprimtarive ekonomike.

Në fazën e parë dhe të dytë parashihet të ndodh hapja e sektorit të ndërtimtarisë, ndërsa tek në fazat 3 dhe 4 pritet të hapet gastronomia dhe transporti ndërurban. /Lajmi.net/