Politika nën slloganin “Panik Jo, Kujdes Po”

Paniku zakonisht mishëron shpërbërjen e masës. Një gjë e tillë ndodh zakonisht kur njerëzit janë shumë të lidhur si bie fjala brenda një shfaqje teatrale apo hapësirave mire të mbyllura të kinemave. Kjo masë njerëzish është shumë e bashkuar dhe mjaftë e izoluar në raport me hapësirën e jashtme të teatrit apo kinemasë.

Opinion

22/04/2020 13:16

Shkruan: Ridvan Emini

Po kjo masë, a është krijuar enkas për shfaqjen? Në të shumtën e rasteve mund të thuhet po, por jo në pak raste publiku mund të jetë aty i bashkuar jo për shfaqjen e cila nuk arrin ta ‘pickoj’ fijen nervore të publikut, por rrinë i bashkuar sepse tash më gjendet aty.

Nëse shfaqja apo filmi nuk arrin ta bëjë punën e vet, atë mund ta bëjë ndonjë zjarr apo ndonjë sulm terrorist. Në fakt, një thënie popullore thotë se me zjarr e me ujë nuk duhet të luhet. Tani kësaj thënie mund të ia shtojmë edhe sulmet terroriste, sepse ato nuk duhet nxënë si mahi, por duhet trajtuar si të rrezikshme ashtu sikurse zjarrin.

Nga viti 2001 e këndejmi, sulmet terroriste kanë ‘pickuar’ ndjenjat e njerëzve aq fort sa që paniku që vije nga to është i njëjtë sikurse ai i zjarrit.

Kosova një vend i izoluar së jashtmi është kthyer në një teatër(e siç pohon filozofi Michel Foucault, teatri tanimë është zhvendosur nga godina madje as nuk është godina por vet jeta është një teatër) ku qytetarët e saj janë 24 orë në ditë për 365 ditë të vitit spektator. Shfaqjet që iu paraqiten këtyre spektatorëve janë ato që Qeveritë e vendit i transmetojnë. Ato janë të ndryshme, por kryesisht janë me ‘sfida’ të pazgjidhshme, ndërsa për nga retorika dhe narracioni, lehtësisht të zgjidhshme. Shfaqjet janë me episode sikur serialet turke apo ato spanjolle, të pafundme.

‘Shfaqja’ Covid-19, ka arritur të ‘pickoj’ fijet nervore të ‘spektatorëve’ në Kosovë. Kjo shfaqje po vazhdon pa ndërpre 7/24 ore tash e gati dy muaj. ‘Spektatorët’ janë bërë sikur më parë të lidhur duke qëndruar të mbyllur secili në shtëpitë e tyre.

Nga ana tjetër ndjenja se zjarri po trumbeton paralelisht me ‘shfaqjen’ Covid-19. Pra, kjo ndjenjë po vije nga dy drejtime: nga ‘shfaqja’ Covid-19 nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, nga politika e cila zhvillohet brenda ‘teatrit’ të quajtur Kosovë.

Konstatimi i prezencës së zjarrit e vë në pikën më kulmore në mënyrë automatike atë ndjenjë të masës që ekziston përherë te spektatori. Rreziku i përbashkët krijon ambient të atillë që të lindë tek të gjithë spektatorët një frikë e përbashkët.

Politika është duke injektuar një frikë të tillë tek qytetarët. Kjo frikë nuk është e paqëllimtë. Ajo bëhet që masën ta mbajnë nën presion të lartë. Presion të kontrollit të plotë.  Nën emrin e luftimit të pandemisë Covid-19, regjisori (Qeveria) është duke instaluar ‘filozofinë e frikës’ (Svendsen) apo frikologjinë (ang: fearology) sepse nga skenare të tilla fantazmagorike një potencial  kritik  zhbëhet kurse nga ana tjetër është rreziku i zhbërjes së  ‘teatrit’ tonë  të quajtur Kosovë.