Një “vaksinë” për infodeminë me tri pyetje bazike
Shkruan: Dren Gërguri
Opinion
Infodemia është ‘sëmundja’ e informacioneve të paverifikuara që plasohen te publiku dhe ky “virus” mund të bartet nga një person te tjetri. “Pastroni duart shpesh”, të kthjellohemi dhe të gjykojmë çdo informacion që marrim dhe para se ta shpërndajmë, t’ia bëjmë vetes së paku tri pyetje, si “vaksinë” kundër infodemisë.
Në këtë periudhë të krizës, është shumë e rëndësishme ta mbrojmë veten nga dezinformatat lidhur me koronavirusin, që në fakt po shpërndahen gjithandej dhe në numër të madh, sidomos në medie sociale. Për të mos u ballafaquar me probleme serioze në të ardhmen, të prodhuara nga ndonjë dezinformatë, tani duhet t’i kushtojmë rëndësi të madhe saktësisë së informacioneve që i marrim.
Para disa ditësh, një mik i imi më dërgoi një mesazh në Viber ku thoshte: “Mbaje frymën për më shumë se 10 sekonda. Nëse arrin ta bësh këtë pa u kollitur ose pa shfaqur shenja ankthi apo shtrëngime në gjoks, atëherë nuk je i prekur.” Pyetja e parë që ia bëra mikut tim, ishte se ku e mori këtë informacion. Ai më tha se ishte një familjar i tij që ia kishte dërguar. Ndërkohë, shtoi se, gjithashtu kishte ndëgjuar se kjo është sugjeruar prej ekspertëve nga Japonia. Pasi e verifikova, e pashë se është thjesht një tjetër dezinformatë që po shpërndahet këto ditë. Natyrisht, miku im, apo edhe familjari i tij, shpërndarjen e informacionit e bëjnë me qëllimin për të ndihmuar, pa e kuptuar se kanë rënë pre e një dezinformate.
Dezinformatat në media sociale mund të shpërndahen shumë shpejt. Paramendojeni kur dezinformatat po shpërndahen në grupe me dhjetëra e qindra persona, e pastaj, secili prej tyre mund ta shpërndajë te qindra e mijëra të tjerë. Një dezinformatë si ajo për përdorimin e hudhrës për të parandaluar infeksionin u shpërnda në Facebook, ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte reaguar duke thënë se nuk ka asnjë provë që përdorimi i tepërt i hudhrës mund t’i mbrojë njerëzit nga koronavirusi. Të supozojmë se kjo dezinformatë ishte shpërndarë në një grup me 200 anëtarë në Facebook, pastaj gjysma e tyre e kishte shpërndarë te 100 persona të tjerë. Pra, për pak minuta, dezinformata mbërrin te 10 mijë persona.
Një tjetër dezinformatë që u shpërnda shumë ishte ajo për pirje të ujit të nxehtë me limon: “Profesoresha ChenHorin, Drejtoreshë e Përgjithshme e Spitalit Ushtarak të Pekinit, ka thënë: Fetat e limonit në një filxhan me ujë të nxehtë mund të shpëtojnë jetën tuaj. Limoni i nxehtë mund të vrasë përhapjen e këtij virusi në trupin tonë!” Kjo dezinformatë u shpërnda shumë nga njerëz të ndryshëm në Facebook, Messenger, e medie të tjera sociale, derisa pas disa ditësh mediet serioze si Euronews, AssociatedPress, AFP, etj., raportuan se kjo ishte një tjetër dezinformatë e shpërndarë në këtë periudhë. Ndërkohë, është e ditur se demanti i dezinformatës asnjëherë nuk mund të arrijë efektin e njëjtë, prandaj është e rëndësishme të ndalojmë infodeminë para se të shpërndahet.
Në raste të tilla është mirë që të jemi skeptik ndaj informacioneve të cilave u ekspozohemi për shkak të një morie dezinformatash që qarkullojnë në internet. Infodemia është ‘sëmundja’ e informacioneve të paverifikuara që plasohen te publiku dhe, ky virus mund të bartet nga një person te tjetri, sa hapë e mbyllë sytë. “Pastroni duart shpesh”, gjithsesi, por edhe të gjykojmë çdo informacion që marrim dhe para se ta shpërndajmë, t’ia bëjmë vetes së paku tri pyetje, që janë “vaksina” më e mirë kundër infodemisë: A është burimi i besueshëm?, a është raportuar ky lajm edhe në një media tjetër?, dhe, a mbështetet në burime zyrtare?
Për këshilla mjekësore, Organizata Botërore e Shëndetit, UNICEF-i si dhe institucionet tona shtetërore, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë publikuar udhëzues të ndryshëm dhe shterues që shpjegojnë informacione të shumta për koronavirusin, prandaj duhet të drejtohemi te institucionet shtetërore a globale shëndetësore dhe mos të lejojmë veten të mashtrohemi nga dezinformatat që qarkullojnë nëpër medie sociale, pavarësisht se kush i shpërndanë ato. Pra, për pandeminë e koronavirusit ende nuk është gjetur vaksina, mirëpo për infodeminë tashmë e kemi “vaksinën”, mjafton të jemi të kujdesshëm dhe të “vaksinohemi” me pyetjet e lartpërmendura për t’u mbrojtur nga infodemia.