MIA akuzohet se po favorizon kompani të caktuara për tenderin 17 milionësh

Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit (MIA) nuk po heq dorë nga synimi i saj për të lidhur kontratë me kompanitë e papërgjegjshme për tenderin “Rikonstruimi i rrugës Rajonale R115, Segmenti  Prizren-Prevallë”.

Lajme

04/03/2020 15:13

Ministria po tenton ta keqpërdorë buxhetin e shtetit përreth dy milionë euro për realizmin e këtij tenderi të cilin e ka hapur që në muajin shtator të vitit 2019.

Në vend që të bëjë ‘luftën’ për ruajtjen e parasë publike, zyra e prokurimit është duke i bërë të gjitha përpjekjet që të shpall të papërgjegjshëm grupin e operatoreve “Sa-Sallahu”& “Groma Hold” për pjesën e dytë të tenderit, dhe “2A Group& 2T” për pjesën e parë. Të dy këto oferta janë më të lira përreth dy milionë euro se sa ofertat fituese që po rekomandohen nga ministria.

Ky tender për herën e dytë ka shkuar në rivlerësimit në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Herën e parë Paneli i OSHP-së vërtetoi se tenderi nuk është vlerësuar konfom ligjit dhe rekomandoi MIA-në që ta kthej në rivlerësim përsëri.

Por, pas rivlerësimit u shpallën fitues përsëri kompanitë e njëjta. Tash eksperti i OSHP-së ka gjetur shkeljet e njëjta e ka rekomanduar Panelin që ta kthej përsëri në rivlerësim. Paneli shqyrtues ka mbajtur seancën dëgjimore me të gjitha palët javën e kaluar ku është bërë edhe regjistrim i seancës e më pas është hedhur seanca e regjistruar në “YouTube”. (Kliko KËTU)

Sipas pamjeve të regjistruara shihet se e gjithë seanca ka kaluar në tensione të mëdha, kryesisht janë bërë akuza në drejtim të drejtoreshës së prokurimit, Valmira Bllaca për manipulim të fakteve. Madje për manipulim e ka akuzuar edhe vetë eksperti shqyrtues i prokurimit.

Sipas video regjistrimit, por dhe fakteve të cilat lajmi.net ka raportuar më herët, e gjithë “lufta” e ministrisë është fokusuar për t’i shpallur të papërgjegjshme dy kompanitë më të lira.

Duke mos pasur arsye të fortë të eliminimit për kompanie “Sa-Sallahu”, e cila është më e lirë mbi 700 mijë euro se kompania e rekomanduar për kontratë, drejtoresha e prokurimit është kapur tek validiteti i ankesës, që sipas saj, nuk është bërë më kohë, dhe ka qenë pa pretendime ankimore.

“Operatori ekonomik nuk ka pretendime ankimore për shkeljen e dispozitave të Ligjit për Prokurimin Publik. Kjo pasi ky operator ekonomik ka ngarkuar në E-prokurim një ankesë për rishqyrtim më datë 06.01.2020, por nuk ka pretendime ankimore në të”, ka thënë Bllaca në seancë, në ndërkohë ka listuare dhe disa mos përmbushje të kritereve tjera, por fokusi i saj ka qenë në këtë pikë.

Por, përfaqësuesi ligjor i kompanisë “Sallahu” ka prezantuar faktet e veta që në E-prokurim ka parashtruar me pretendime ankimore brenda afateve ligjor. Këtë qëndrim e ka mbrojtur edhe eksperti i OSHP-së, i cili e ka bërë ekspertizën e këtij tenderi dy herë. Madje, eksperti shqyrtues, Hysni Muhadri, e ka akuzuar drejtoreshën, Bllaca për manipulim të fakteve (shihet pjesën fundit të videos).

Pas kësaj seance, Bllaca dhe Paneli i OSHP-së kanë kërkuar të premten e kaluar nga KRPP-ja që të njoftohen zyrtarisht se a ka parashtresë të ngarkuar në E-prokurim me pretendime ankimore. Lajmi.net ka mësuar se KRPP-ja u ka thënë se ekziston ankesa me pretendime ankimore e parashtruar brenda afatit ligjor.”

“Sa –Sallahu” ka filluar përgatitjen e “kërkesës për rishqyrtim” më datë 03.01.2020. Më datë 03.01.2020, në ora 12:55 minuta ka ngarkuar dokumentin të emëruar si “kërkesë për rishqyrtim” për të vazhduar me ngarkim më 3.1.2020, në ora 12:57 minuta, si dokument shtesë, dokumentin e emëruar “Dëshmi 1”. Punën në “Kërkesën për rishqyrtim” me status “në përgatitjen” përdoruesi e ka vazhduar më datë 06.01.2020, kohë 12:32 minuta, së pari duke zëvendësuar dokumentin “kërkesa për rishqyrtim” me një dokument tjetër “kërkesa për rishqyrtim” me kapacitet 4.65 MB dhe më pas me ngarkim të dokumenteve shtesë të emëruar si “dëshmia 1”, “dëshmia 2”, “dëshmia 3” dhe “dëshmia 4” me kohë të ngarkimit ashtu siç janë paraqitur në pikën 2.8. Në lidhje me ngarkimet e dokumenteve, veprimin e fundit në këtë kërkesë për ri-shqyrtim, përdoruesi i Operatorit Ankues ka bërë në ora 14:34 minuta, duke zëvendësuar përsëri dokumentin “kërkesë për rishqyrtim” me një dokument tjetër të emëruar “Kërkesa për rishqyrtim” me kapacitet 4.6 MB, duke vazhduar pastaj në ora 14:37 minuta me veprimin për dërgim /paraqitje të kërkesës për rishqyrtim tek Autoriteti Kontraktues”, thuhet në shkresën e KRPP-së drejtuar këtyre dy institucioneve këtë të hëne, të cilin e ka parë lajmi.net.

Ndërkohë, tash paneli i OSHP-së pritet të marrë vendim, konform fakteve të prezantuara dhe ekspertizës së ekspertit të saj.

Megjithëkëtë, në seancën e  fundit dëgjimore të javës së kaluar akuza të ashpra në drejtim të drejtoreshës së prokurimit ka hedhur edhe Valon Ademi, pronar i kompanisë “A2 Goup”, i cili është më i lirë mbi 1 milion euro për pjesën e parë se kompania e rekomanduar për kontratë.

“Ne edhe gjatë vlerësimit të parë që i është bërë ofertës sonë jemi shpallur të papërgjegjshëm,  për një dokument që Autoriteti Kontraktues nuk deshi që ta shikonte e as ta kërkonte, por u mjaftua me një arsye të pa qenë për të. Na eliminuar neve sepse siç u pa edhe ne rivlerësim cak ka qenë shpallja fitues e Operatorit Ekonomik “Eskavatori”, që do të thotë për Autoritetin Kontraktues nuk kanë pasur rëndësi fare arsyet e eliminimit, por ka pas rendësi kush të shpallet fitues. Në ketë rast kanë shpallur fitues një Operator Ekonomik që është i pa përgjegjshëm dhe ka ofertuar një çmim prej 1,5 milionë euro më shumë se sa oferta e konsorciumit tonë. Do me thënë këtu bëhet fjalë për 1.5 milionë euro keqpërdorim që po tentojnë Autoriteti Kontraktues me dëmtua buxhetin e Kosovës për qëllime që ata i dinë”, ka thënë Ademi në seancën e OSHP-së.

Ademi më tutje ka thënë se sa iu përket arsyeve për të cilat është eliminuar konsorciumi që ai përfaqëson nuk qëndron pasi që siç ka thënë ai pajisjet të cilat pretendohet që nuk i ka paraqitur kjo arsye nuk qëndron sepse sipas tij në Dosje Tenderit (DT) janë të paraqitura librezat e këtyre pajisjeve, fotografitë, dhe te gjitha dokumentacionet e kërkuara sipas dosjes së Tenderit.

“Ka ndodhur vetëm një gabim teknik tek kontrata e Qiramarrje se këtyre pajisjeve të cilën Autoriteti Kontraktues shume lehtë ka mundur ta vërtetoj konform nenit 72 të Ligjit të Prokurimit Publik. Arsyeja tjetër e eliminimit tonë ka të bëjë me referencat se kinse ne nuk i përmbushim kërkesën në lidhje me punët e realizuara dhe te përfunduara në periudhën e shkuar 3 vjeçare e cila kërkohet të jete jo me pak se 10 milionë euro. Ne jemi të gatshëm që edhe para Paneli Shqyrtues të dorëzojmë të gjitha provat ne lidhje me ketë pretendim ku shihet qartë se ne si OE e tejkalojmë vlerën prej 10 milionë eurove” ka thënë ai. “Unë jam i bindur se prapë edhe nëse kjo lënde kthehet në rivlerësim jam i bindur se Autoriteti Kontraktues nuk do t’i shikoj dokumentet por do të shikoj cakun ku e ka tek OE Eskavatori dhe Papenburgu” ka thënë më tutje Valon Ademi.

Kompanitë e pa përgjegjshme u rekomanduan dy herë për kontratë

Fillimisht, tetor të vitit 2019, MIA, ka shpallur fituesit e tenderit “Rikonstruimi i rrugës Rajonale R115, Segmenti  Prizren-Prevallë”. Tenderi është ndarë në dy lote (pjesë).

Lajmi.net kishte raportuar se fituesit e tenderit ishin shpallur në kundërshtim me kërkesën e vetë ministrisë dhe në kundërshtim më Ligjin e Prokurimit.

Fitues të tenderit për lot 1 janë shpallur kompanitë “Company Eskavatori” Shpk & “Pro&Co Group” Shpk & “Best Company”, me vlerë të kontratës prej 7,849,716.18 eurove. Më të lira se kjo kompani kanë qenë pesë të tjera. Çmimi më i lirë ka qenë i kompanisë 2 A GROUP & 2T, me çmim prej 6,477,472.67 euro. Por, të gjitha këto kompani u shpallën të papërgjegjshme nga ministria.

Lot 2 të këtij tenderi e kanë fituar grupi i kompanive “PAPENBURG & ADRIANI”, me çmim prej 6,643,867.79 eurove. Më të lira se kjo kompani kanë qenë edhe dy të tjera. Çmimi më i lirë ka qenë i kompanisë “SA-SALLAHU & GROMA HOLD”, në vlerë prej 5,894,246.39 euro, ose 749,621.40 euro sesa oferta fituese.

Para pak jave lajmi.net ka raportuar se në vitin 2018, zëvendësministri Rexhep Kadriu, i mori borxh 97 mijë e 753 euro nga kompania ferizajase “Papengurgi&Ardiani”, me pronarë Muhamet Dervishi e Mevlud Dervishi. 

Këtë borxh, ai e ka deklaruar edhe në formularin e pasurisë 2019 në Agjencinë Kundër Korrupsion. Lajmi.net ka mësuar se ministria e Infrastrukturës ku punon Kadriu e kishte shpërblyer me tender para pak ditësh kompaninë “Papengurgi&Ardiani” për projektin “Asfaltimi i rrugës Babush-Tërn-Luboc-Koshare-Slivovë”. Vlera e përgjithshme e kontratës është 1.821.792,19 euro. Edhe ky tender është duke u hetuar nga policia, pasi pretendohet se ishte shoqëruar me parregullsi.

Pas shpalljes së rezultate nga komisioni i vlerësimit, tek Autoriteti Kontraktues janë ankuar shtatë kompani, duke pretenduar se janë eliminuar në kundërshtim me LPP-në, dhe duke pretenduar se kompanitë e rekomanduara për kontratë nuk i kanë përmbushur kriteret. MIT ka formuar komisionin vlerësues për rishqyrtimin e pretendimeve të kompanive. Pas rishqyrtimit të ankesave, ministria i ka hedhur poshtë ankesat e të gjitha kompanive dhe e ka lënë në fuqi vendimin e vetë. Më pas kompanitë janë ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. OSHP-ja mori për bazë shumicën e konstatimeve të ekspertit të vet dhe rekomandoi që lënda të kthehet në rivlerësim.

Autoriteti kontraktues e ktheu lëndën në rivlerësim dhe fitues shpalli kompanitë e njëjta.

Dy kompanitë, “A2 Group” dhe “Sa Sallahu” nuk u pajtuan me vendimin e ministrisë dhe parashtruan ankesë pranë autoritetit kontraktues.

Prokurimi ua hodhi poshtë pretendimet, kompaninë “2 A Group” e shpalli si të pa përgjegjshme në disa pika. Ndërsa për “Sa Sallahu” tha se ankesa e saj nuk mund të shqyrtohet pasi është ankesë pa pretendime ankimore, për të cilën së fundmi kërkoi ndihmë edhe nga KRPP-ja. Tash, pritet që Paneli shqyrtues të jep fjalën përfundimtare.

Sipas dokumenteve të ofertimit dhe kritereve të parashtruara në njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit, eksperti i OSHP-së në dy rastet ka gjetur se kompanitë e shpallura fituese për lot 1 dhe lot 2 nuk i përmbushin kriteret. Janë një numër i madh i kritereve të pa plotësuara dhe shkelje që i ka bërë komisioni gjatë vlerësimit të ofertave duke i rekomanduar për kontratë grupin e Operatorëve Ekonomik për Lot 1: “Company Eskavatori” Shpk & “Pro&Co Group” Shpk & “Best Company” dhe Operatorin Ekonomik për Lot 2: KNPSH “Papenburg & Adriani Company” Shpk.

Lajmi.net ka mësuar se për këtë tender shumë shpjete pritet të aktivizohet edhe hetuesia. Kjo pasi njëra prej kompanive ankimore ka dorëzuar kallëzim penal në polici, duke pretenduar se janë bërë një varg shkeljesh qysh në herën e parë kur ministria kishte rekomanduar për kontratë operatorët ekonomik dhe kishte eliminuar të tjerët më të lirë. /Lajmi.net/