Koha kur Vlora Çitaku e mbronte kryeministrin Kurti përballë Daçiqit në OKB

Sot, ministri i jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca ka kërkuar shkarkimin e shtatë ambasadorëve të Kosovës nëpër vende të ndryshme të botës e kësaj liste i prinë ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

Lajme

03/03/2020 16:59

Por më 31 tetor të vitit të kaluar, Çitaku në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së i ishte përgjigjur deklarimeve të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq se kryeministri i tanishëm i Kosovës, Albin Kurti ka lobuar për “Shqipërinë e Madhe”.

Çitaku kishte thënë se Kurti ka deklaruar disa herë se është pro dialogut.

“Kjo dhomë nuk është gjykatë për politikanët tonë. Kurti i ka fituar zgjedhjet në Kosovë, ai ka deklaruar disa herë shumë qartë se është pro dialogut dhe jam e lumtur që kolegu im nga Serbia po e mbron flamurin e Kosovës. Dëshiroj të ju siguroj të gjithë juve se flamuri i Kosovës do të qëndrojë në zyrën e kryeministrit të Kosovës”, kishte thënë ajo.

Ajo para të pranishmëve kishte theksuar se Kurti ka qenë i burgosur politik kur Daçiq ishte ministër.

“Kolegu im serb harroi të përmend një detaj të rëndësishëm të biografisë së Albin Kurtit. Ai ishte i burgosur politik në Serbi kur ai ishte ministër”, ka shtuar ambasadorja. /Lajmi.net/