U paguan punët që nuk u kryen por hetuesia heshtë për skandalin e tenderit
Rruga Bardh i Madh–Lismirë është inauguruar në gusht të vitit 2019. Kjo rrugë e është e gjatë rreth 3.5 kilometra dhe është kontraktuar dhe financuar nga Ministria e Infrastrukturës.
Lajme
Bëhet fjalë për pagesat e dy urave të vogla, të cilat kanë qenë të parapara me projekte, ose siç quhet sipas projektit “lëshesat pllakore”. Po ashtu, nuk është bërë as disniveli i rrugës, i paraparë sipas kontratës, ndërkohë që janë kryer pagesat për dheun që nuk është gërmuar as rërën që nuk është vendosur aty.
Lajmi.net ka kërkuar përgjigje nga Policia e Kosovës, nëse hetuesia ka nisur hetimet për këtë rast korruptiv, por zyra e informimit të Policisë së Kosovës nuk ka dhënë përgjigje. Ndërkohë, po ashtu, sipas burimeve brenda ministrisë për këtë rast nuk është ftuar askush nga hetuesia.
Mësohet se pos pozicionit të urave dhe disnivelit të rrugës, nuk është punuar konformë kontratës as sinjalizimi i rrugës. Gjithsejë vlera e sinjalizimit horizontal ka qenë 16 mijë e 562 euro. Pra, ky pozicion nuk është punuar sipas kontratës, pasi me kontratë është dashur që sinjalizimi horizontal të punohet me ngjyrë termoplastikë që është shumë më e qëndrueshme sesa ngjyra aktuale që është punuar. Nuk janë punuar fare as disa kyçje me asfalt.
Konkretisht nuk janë punuar këto pozicione sipas kontratës:
Furnizimi dhe realizimi i vijës ndarëse të shiritave të qarkullimit (b= 12 cm) tipi A1 (3+3+3 m.), komplet gjatësia e kësaj vije.
Furnizimi dhe realizimi i vijës së ndërprerë në udhëkryqe (b= 12 cm) tipi A (1+1+1 m.), komplet gjatësia e kësaj vije.
Furnizimi dhe realizimi i vijës plotë të shiritave të qarkullimit (b= 12 cm), e vetme.
Furnizimi dhe realizimi i vijës plotë anësore të skaj të shiritave të qarkullimit (b= 10 cm), (kufizimi i ishullit të mesëm dhe ndarja e shiritit të skajshëm).
Furnizimi dhe realizimi shenjave tjera (fushat e drejtimit, vendkalimi i këmbësoreve, vija e ndalimit etj.). Sasia 24 në vlerë prej 432 euro.
Furnizimi dhe realizimi i shigjetave L = 5 m.
“Ndërtimi i rrugës Bardh i Madh – Lismir, Fushë Kosovë, L=3,521.00m” ishte tenderuar në fund të vitit 2017. Kontrata është nënshkruar me grupin e kompanive N.N.T. “Milazim Shala” & Npsh “Bageri”. Çmimi i kontratës ka qenë 434.013,57 euro.
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj e përuroi projektin e ri më 2 gusht 2019, bashkë me kryetarin e Fushë Kosovës, Burim Berisha. Më pas, sekretari i ministrisë, Betim Reçica ka mandatuar komisionin për pranimin teknik për këtë projekt në përbërje prej tre anëtarëve. Pasi ka dalë në terren, ky komision e ka hartuar një raport ku në të ka shkruar se mungojnë dy urat (lëshesat pllakose) si dhe disa pozicione tjera nuk janë të kryera sipas projektit. Të njëjtin e raportuan para disa muajve, komisioni e ka dorëzuar në emalin e ministrit Pal Lekaj dhe sekretarit, Betim Reçica. Por, për autoritet të ministrisë, raporti nuk ka qenë i pranueshëm.
Më datën 17 dhjetor 2019, lajmi.net ka kërkuar qasje në dokumente zyrtare ku ka kërkuar të gjitha pozicionet e paguara lidhur më këtë projekt, si dhe shumën e paguar për to. Zyra e informimit e kësaj ministrie nuk ka kthyer përgjigje.
Një ditë me vonë, më datë 18 dhjetor, pas interesimit të lajmi.net, Ministria e Infrastrukturës e ka formuar një komision të ri për pranimin teknik të rrugës Bardh i Madh-Lismir.
Sipas dokumentit, “paramasa dhe parallogaritë” që i ka parë lajmi.net shihet se janë keqpërdorur mbi 100 mijë euro.
Janë paguar dy ura, ndërkohë që asnjëra nuk është ndërtuar sipas projektit. Mbi atë të vjetrën është shtruar vetëm asfalt, ndërsa në tjetrën është bërë një improvizim me një gyp të betonit. Për dy urat e vogla, ose ndryshe të quajtura lëshesat pllakose, siç ka mësuar lajmi.net janë paguar rreth 20 mijë euro.
Ndërkohë, sipas projektit të ministrisë, konkretisht sipas paramasës dhe parallogaritë për konstruksionin e trasesë së rrugës kanë qenë të parapara tri pozicione me nga 29,965.82 euro, ose të tria në vlerë prej 89,897.46 euro. Pra ishte paraparë punimi i mbushjes dhe stabilizimi me material guror jokoherent që do ta ngriste nivelin e rrugës. Por, kontraktori i ministrisë ka vendosur vetëm asfaltin mbi rrugën ekzistuese. /Lajmi.net/