Guvernatori i BQK-së e informon Bankën Botore për stabilitetin financiar në Kosovë

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka takuar sot Diego Martinez, Zëvendësdrejtor i Bankës Botërore dhe Alper Ahmet Oguz, Zyrtar i Lartë për Sektorin Financiar përgjegjës për portfolion e Kosovës.

Lajme

05/02/2020 15:08

Me këtë rast, Guvernatori Mehmeti ka uruar Alper Ahmet Orguz për detyrën e re dhe i siguroi gatishmërinë e Bankës Qendrore për avancimin e projekteve zhvillimore.

Në këtë takim u diskutuan zhvillimet pozitive të sektorit bankar, sfidat e ardhshme dhe roli i këtij sektori në zhvillimin ekonomik të Kosovës, si dhe projektet aktuale dhe të ardhshme të Bankës Botërore për të mbështetur sektorin financiar.

Guvernatori Mehmeti ka informuar zyrtarët e Bankës Botërore lidhur me stabilitetin e sistemit financiar në vend dhe ka falënderuar Bankën Botërore për përkrahjen e vazhdueshme që ka dhënë për zhvillimin e sektorit financiar dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi.

Guvernatori Mehmeti i njoftoi përfaqësuesit e Bankës Botërore lidhur me përmirësimin e qasjes në financa e cila në masë të madhe është rezultat i ndihmës së Bankës Botërore dhe mbështetjes që ajo i ka dhënë Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore falënderuan Guvernatorin Mehmeti për bashkëpunimin dhe shprehen gatishmëri që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen. /Lajmi.net/