Lukaku dhe Pjanic: Lojtarët ta luftojnë racizmin, të gjithë të dalim nga fusha

Romelu Lukaku dhe Miralem Pjanic kanë bërë thirrje për luftë kundër racizmit.

Sport

28/12/2019 18:08

Racizmi është një nga problemet më të mëdha me të cilin po përballet futbolli.

Ky fenomen është tejet i shfaqur në futbollin italian, në Serie A. Emra si Romelu Lukaku, Moise Kean e të tjerë kanë qenë subjekte të fyerjeve raciste.

Por, lojtarët tashmë duken më të vendosur. Pjanic dhe Lukaku kanë bërë thirrje që të gjithë së bashku të luftojnë racizmin, madje edhe të dalin nga fusha kur tifozët shfaqin shenja raciste.

“Lojtarët kanë fuqi të madhe, ne duhet të bashkohemi për të dërguar mesazhe pozitive. Një shembull është Balotelli, në Verona” ka thënë Lukaku, transmeton lajmi.net.

“Duhet ndjekur modeli anglez, pasi atje rregullat janë shumë strikte. Duhet t’i bëjmë njerëzit të kuptojnë se futbolli është qejf” ka shtuar ai.

Ndërsa, disa fjalë për këtë problem ka thënë edhe Miralem Pjanic.

“Më dhemb kur shoh skena të tilla. Jam i bindur se të gjithë duhet të lëmë fushën me lojtarin që has në vështirësi” ishin fjalët e Pjanic.

Më herët gjatë këtij viti të gjithë kapitenët e të gjitha skuadrave të Serie A kishin nënshkruar një deklaratë anti-racizmit. /Lajmi.net/