Bakija -Deva: Biznesi i bashkëshortit nuk është aktiv

Pas publikimit të artikullit “Zëvendësministrja e Kulturës e fsheh biznesin e burrit” në lajmi.net ka reaguar, Burbuqe Bakija Deva– Zëvendës Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Lajme

06/11/2019 18:47

Më poshtë mund ta lexoni reagimi e saj pa ndërhyrje:

Reagim ndaj artikullit “Zëvendësministrja e Kulturës e fsheh biznesin e burrit” të botuar sot më 06. 11.2019 në Gazetën lajmi.net

Për artikullin në fjalë, me përgjegjësinë më të madhe e rikonfirmoj që deklarimin e pasurisë e kam bërë ashtu siç e posedoj.

Lidhur me artikullin e botuar sot në gazetën lajmi.net dhe Insajderi, kinse gjatë deklarimit të pasurisë sime në Agjencionin Kundër Korrupsion, paskam fshehur biznesin e burrit tim, ju njoftoj se Kompania N.P.N “BB -Ingenering” e regjistruar në vitin 2000 me pronar Faton Deva, nuk është aktive që nga viti 2003, këtë e dëshmoj me faktin që edhe numri i biznesit të regjistruar 80107919 në vitin 2000 ende figuron si i tillë edhe pse nga koha e UNMIKU-t numrat e regjistrimeve të bizneseve në Kosovë janë ndryshuar dy herë.

Ju lutem redaksisë që për çdo informatë shtesë të kontaktoni Agjencionin Tatimor të Kosovës, i cili është organi kompetent për marrjen e informative të sakta dhe verifikimin e tyre rreth mosfunksionimit të kompanisë në fjalë.

Ky reagim vjen me qëllim të informimit të drejtë të opinionit.

E kuptoj që edhe lajmet po prodhohen për politika ditore, mirëpo puna dhe arritjet e mia dhe secilit anëtar të familjes sime, tashmë janë dëshmuar, që nga fillimi i karrierës e deri më sot.

Burbuqe Bakija Deva – Msc. Arkitekte – Zëvendës Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Sqarimi i Redaksisë lajmi.net në reagimin e zonjës zëvendësministres, Bakija –Deva:

Redaksia e lajmi.net sqaron opinion se qëndron prapa artikullit në fjalë. Gjatë hartimit të këtij artikulli lajmi.net i është referuar një dokumenti zyrtarë të institucioneve të Kosovës. Pra, i është referuar të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Binzesve –ARBK, sipas të cilave të dhëna biznesi i bashkëshortes Bakija –Deva figuron si biznes aktiv, dhe jo si biznes joaktiv, siç thuhet në reagimin e zëvendësministres.

Bakija –Deva  duhet t’i sqarohet Agjencisë Kundër Korruptonit se pse ky biznes figuron aktiv dhe i njëjti nuk është paraqitur në formularin e deklarimit të pasurisë sipas ligjit.

Pjesën tjetër të artikullit ku raportohet për të hyrat nga konsulenca, Bakija –Deva nuk e ka përfshirë në reagim. Edhe këtë situatë mund ta sqarojë ATK-ja nëse ka shmangie nga tatimet apo jo.

Më poshtë mund at lexoni artikullin e botuar sot nga lajmi.net:

Zëvendësministrja e Kulturës e fsheh biznesin e burrit