Pakot e votimit nga diaspora, GERMIN ankohet tek Avokati i Popullit
Për shkak të mos pranimit të 4,639 pakove me fletëvotime nga diaspora prej anës së Komisionit Qendror Zgjedhor, organizata GERMIN sot ka përcjellë një ankesë tek Institucioni i Avokatit të Popullit.
Lajme
Përmes shkresës zyrtare, GERMIN përveç kërkesës për një opinion, i ka bërë po ashtu thirrje këtij institucioni të ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjor për trajtimin dhe zgjidhjen e kësaj çështjeje.
GERMIN konsideron që mos pranueshmëria e 4,639 pakove me fletëvotime që janë pranuar në adresë të KQZ-së përmes postës për verifikim pas datës 5 tetor 2019, por të dërguara nga vendet rezidente të votuesve brenda afatit të caktuar 19 shtator – 5 tetor, përbën cenim të të drejtave zgjedhore për qytetarët jashtë vendit.
Në këtë formë, GERMIN pretendon që kufizimi i afatit kohor për pranimin e votave jashtë Kosovës përmes nenit 96 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregullës Zgjedhore të KQZ-së nr. 03/2013, është në kundërshtim me nenin 45, lexuar bashkë me nenin 55 të Kushtetutës, pasi që nuk përmbushet qëllimi për të cilin lejohet kufizimi.
Neni 55, par. 2 i Kushtetutës përcakton se: “Të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm deri në atë masë sa është e domosdoshme që, në një shoqëri të hapur dhe demokratike, të përmbushet qëllimi për të cilin lejohet kufizimi”.
Sipas GERMIN, nëse qëllimi i vendosjes së afatit prej 24 orëve para ditës së zgjedhjeve për pranimin e votave jashtë Kosovës është që të mos shkaktohen vonesa në procedimin dhe numërimin e votave, atëherë ky qëllim, ndonëse është legjitim, nuk e justifikon refuzimin për të numëruar 4,639 pakot në fjalë, pasi numërimi i votave të ardhura me postë nuk ka filluar deri më 15.10.2019, pra më shumë se 5 ditë pas ardhjes së pakove të fundit nga totali prej 4,639 pakove në KQZ.