Haliti: Kosova duhet të marrë pjesë në Samitin e Pragës

Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se Kosova duhet të marrë pjesë në Samitin e Pragës, pasi sipas tij vendi nuk e ka luksin që t’i bojkotojë samitet si ky i Pragës.

Lajme

11/09/2019 21:16

Ai në një postim në Facebook, tha se mospjesëmarrja e Kosovës në Samitin e Pragës, i krijon hapësirë Serbisë, respektivisht veprimtarisë së saj kundër njohjeve të shtetit të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në institucione ndërkombëtare.

Postimi i plotë:

Kosova duhet të marrë pjesë në Samitin e Pragës

Shteti i Kosovës nuk e ka luksin që t’i bojkotojë samitet si ky i Pragës, ku krahas Grupit të Vishegradit, të cilin e përbëjnë Çekia, Sllovakia, Polonia dhe Hungaria, marrin pjesë edhe kryeministrat e Ballkanit Perëndimor.

Mospjesëmarrja e Kosovës në Samitin e Pragës, i krijon hapësirë Serbisë, respektivisht veprimtarisë së saj kundër njohjeve të shtetit të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në institucione ndërkombëtare.
Tërheqje e Kosovës nga skena ndërkombëtare paraqet lëshim terreni ndaj Serbisë.

Shteti i Çekisë e ka njohur shtetin e Kosovës më 21 maj 2008 dhe kjo njohje, pavarësisht deklaratave individuale, vazhdon të mbetet e vlerëshme. XHH /Lajmi.net/