Sherfi: Jemi kundër qeverisë teknike dhe koalicioneve me partitë e mëdha
Partia e Fatmir Limajt pretendon të mos jetë pjesë e një qeverie teknike dhe as e koalicioneve me partitë e mëdha.
Lajme
Nisma Socialdemokrate nuk do të jetë pjesë e një qeverie teknike, pasi sipas këtij subjekti politik, vendi ka nevojë për ta krijuar një qeveri te fuqishme që u bën ballë problemeve politike vendore, pas zgjedhjeve.
Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, shprehet pesimist se çështjet politike në vend mund të zgjidhen përmes një qeverie teknike, madje një ide të tillë e quan të pabesueshme.
“Nëse kjo qeveria ra për shkak të çështjeve të mëdha politike, pra një qeveri politike nuk arriti t’i zgjidhë çështjet politike, atëherë si do të mund një qeveri teknike të zgjidhë çështje kaq të rëndësishme politike. Kjo është më shumë se e pabesueshme që dikush të ketë një ide, që dikush përmes qeverive teknike të zgjidhë çështje të rënda politike”. “Ajo që mund të them sot, është se Republika e Kosovës, ka nevojë për një qeveri të fuqishme politike për t’iu qasë zgjidhjes së problemeve të rënda politike”, ka thënë ai për EO.
Sherifi tha se vullneti i strukturës së Nismës, është që në zgjedhje të shkojnë të vetëm si parti, teksa shprehet se të njëjtën gjë duhet ta bëjnë edhe katër partitë më të mëdha, ajo e LDK-së, LVV-së, PDK-së dhe AAK-së.
“Të gjitha partitë e mëdha duhet të dalin në zgjedhje, madje tani edhe AAK-ja e ka shpallë veten si parti e madhe, sepse është e qartë se sondazhet tregojnë një rritje të saj. Është mirë që të katërtat, 4 kryetarët e partive të tyre të dalin dhe të kërkojnë mandatin për kryeministër”.
“Ne insistojmë që partitë të cilat kanë shpallë veten parti të mëdha, definitivisht së paku kësaj radhe të dalin të vetme në zgjedhje, në mënyrë që të shohim se kë e sheh populli si parti më të madhe sepse të gjithë kanë nga një pasqyrë që po e shikojnë veten, është mirë që tani t’i nënshtrohen pasqyrës së popullit dhe populli të na thotë se cila është më e madhja”, thotë ai.
Megjithatë, shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, shton se çdo kërkesë për koalicion parazgjedhor me ndonjë parti tjetër do të shqyrtohet.
“Të gjitha kërkesat, ofertat, propozimet që mund të vijnë nga partitë politike do të shqyrtohen por sot, unë nuk kam autoritet të jap një përgjigje definitive sepse do të lija një përshtypje të gabuar se unë marr një vendim vetëm”.
Për Nismën, synimi do të jetë arritja e 10 a më shumë deputetëve në Kuvendin e Kosovës, shprehet Sherifi.
“Ne presim 10 të jetë minimumi dhe sado që të jetë ai plusi nuk do të ishim kundër”, përfundon ai.