Kosova nuk e njeh pasaportën serbe, vetëm letërnjoftimin
Hyrja dhe dalja nga shteti i Serbisë në Kosovë dhe anasjelltas realizohet vetëm me letërnjoftim, kanë thënë zyrtarë të Qeverisë në largim pas paraqitjes se shqetësimeve të disa qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë, se policia kufitare nuk po lejon qarkullimin me pasaportat serbe.
Lajme
Sipas tyre kjo është e bazuar në marrëveshjet e arritura në Bruksel për lëvizje të lirë të arritur në mes Prishtinës dhe Beogradit në korrik të vitit 2011.
Ministri në dorëheqje i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, konfirmon që gjatë qarkullimit mund të përdoret vetëm letërnjoftimi, por që nuk mohon faktin se ka pasur tentime që të kalohet edhe më pasaporte serbe, që lëshohen nga Drejtoria Koordinuese në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.
“Në këto raste, Drejtoria e Kufirit ka intervenuar sepse sipas të dhënave udhëtimi ka ndodhur me pasaportë. Pasaporta nuk njihet si dokument për udhëtim mes këtyre dy shteteve sipas marrëveshjes se Brukselit”, ka thënë Mustafa.
Në marrëveshjen për lëvizje të lirë thuhet se “qytetarët (me vendbanime të përhershme) të të dyja palëve duhet të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm brenda ose përmes territorit të njëra tjetrës dhe në pikat kufitare të qarkullojnë vetëm me letërnjoftim.”
Një gjë e tillë i ka ndodhur edhe gazetares së Radios Evropa e Lirë në gjuhën serbe, Zharka Radoja, e cila kaloi pikën kufitare të martën në mbrëmje mes Kosovës dhe Serbisë.
“Shkaku i informacionit që kam dëgjuar se nuk lejojnë kalimin e njerëzve me pasaportë në Kosovë, unë policit të Kosovës, ia kam treguar pasaportën për të parë reagimin e tij. Polici më pyeti nëse rastësisht kam letërnjoftim me vete. I thash që po e kam, por e pyeta, pse, nëse e kam edhe pasaportën. Ai më tha se është më mirë të kalojë me letërnjoftim, dhe pastaj më tha që t’i informoj të gjithë ata që i njoh që të mbajnë letërnjoftimet pasi nuk mund të hyjnë dhe as të dalin nga Kosova me pasaportë serbe”, thotë Radoja.
Edhe Bogoljub Marinkoviq, pronar i Agjencisë së Transportit “KimCo” nga Graçanica, që qarkullon në drejtimin Graçanicë- Beograd shprehet se udhëtaret nuk mund të qarkullojnë me pasaportë.
“Jo vetëm më pasaporta që janë lëshuar për Kosovën, por edhe me pasaportat serbe. Me një pasaportë serbe ai nuk mund të hyjë në Kosovë, mundet me letërnjoftim, fëmijët mund të hyjnë me certifikatë me fotografi, por me pasaportë nuk munden. Ne në fillim i informojmë të mos udhëtojnë nëse kanë pasaportë serbe. Pasaportat e lëshuara nga ana e Ministrisë së Brendshme e Serbisë nuk vlejnë në Kosovë”, ka thënë Marinkoviq
Ndryshe, në vitin 2009 kur Serbisë iu mundësua liberalizimi i vizave, Serbia atëkohë miratoi rregulloren me të cilën të gjithë atyre që kanë vendbanim në Kosovë, dokumentet e udhëtimit t’ua lëshojë drejtoria Koordinuese e Ministrisë se Punëve të Brendshme të Serbisë në Beograd, e që në Kosovë konsiderohen jo valide.
Poseduesit e tyre nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së.
Ish-ministrja për dialog e Kosovës, Edita Tahiri, thotë se pasaportat e qytetarëve serbë të lëshuara nga strukturat paralele, janë jovalide. Kurse sa i përket qarkullimit, ajo thotë se në Kosovë zbatohet marrëveshje për lëvizje të lirë, e që mundësohet vetëm me anë të letërnjoftimit dhe jo pasaportës.
“Kur qytetarët e Kosovës udhëtojnë nëpër aeroportet e Serbisë për vendet e treta, njihet pasaporta dhe kur të braktisin Serbinë, si vend transit, në dalje verifikohet pasaporta e tyre. Edhe sa i përket qytetarëve të Serbisë është e njëjtë, me leje të njoftimit mund të hyjnë në Kosovë. Nëse përdorin Aeroportin e Prishtinës për të shkuar diku, duhet të kenë pasaportën, kurse këto pasaportat ilegale të lëshuara nga mekanizimi paralel (Drejtoria Koordinuese në MPB e Serbisë) ato nuk vlejnë, janë ilegale dhe nuk pranohen”, tha Tahiri për Radion Evropa e Lirë.
Për këtë ka reaguar edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, duke thënë se ndalesa e hyrjes me pasaporta serbe, është treguesi më i mirë se në këtë “kuazi-shtet” nuk dihet “kush pi e kush paguan”.