Qeveria e Austrisë në kaos
Të gjithë ministrat e partisë së ekstremit të djathtë FPO paralajmëruan dorëheqje nga Qeveria e koalicionit e Austrisë.
Bota
Udhëheqësi i kësaj partie, Heinz-Christian Strache, i cili ka qenë edhe zëvendëskancelar, u detyrua të japë dorëheqje në fundjavë, për shkak të një video skandali.
Strache është filmuar duke i propozuar kontrata qeveritare mbesës së supozuar të një oligarku rus.
FPO kërcënoi me dorëheqje masive nëse ministri i Brendshëm, Herbert Kickl, detyrohet të largohet.
Kancelari Sebastian Kurz kërkoi shkarkimin e ministrit Kickl, duke thënë se si sekretar i përgjithshëm i partisë, ai duhet të marrë përgjegjësinë për skandalin.
Skandali shpërtheu të premten kur pamjet nga viti 2017 u publikuan në mediat gjermane.
Strache dha dorëheqje të nesërmen, ndërsa Kurz, udhëheqës i Partisë Popullore të qendrës së djathtë (OVP), tha se duhet të mbahen zgjedhje të reja.
Ministrat e FPO-së që paralajmëruan dorëheqjen, përfshijnë ministrin e Jashtëm, të Mbrojtjes, të Transportit dhe të Çëshjeve Sociale.
FPO përbën gjysmën e kabinetit qeveritar.
Sipas vëzhguesve, video skandali vjen në një kohë jo të mirë për partinë.
Qytetarët në gjithë Bashkimin Evropian do të votojnë nga data 23 deri më 26 maj për zgjedhjet e Parlamentit Evropian, që pritet të rrisin numrin e eurodeputëve të ekstremit të djathtë dhe të euroskeptikëve të tjerë.
Përpara shpërthimit të skandalit, FPO pritej të fitonte rreth 20% të votave në zgjedhjet evropiane.
Videoja e publikuar të premten nuk dihet se nga kush është filmuar. Nuk është e qartë as kush e ka organizuar takimin, që besohet se është zhvilluar në një vilë në ishullin Ibiza të Spanjës, në korrik të vitit 2017 – përpara se FPO t’i bashkohej Qeverisë së re të Austrisë.
Në video, Strache dhe Johann Gudenus – një tjetër politikan i FPO-së – shihen duke pushuar në sofa, duke pirë dhe duke biseduar me një grua që pretendon se është një ruse e pasur, që dëshiron të investojë në Austri.
Në video, gruaja ofron për të blerë 50% të aksioneve në gazetën austriake Kronen Zeitung dhe të ndryshojë qëndrimin e saj editorial, në mbështetje të partisë FPO.
Në këmbim, Strache thotë se mund t’i ofrojë asaj kontrata publike.
“Nëse merrni përsipër Kronen Zeitung tri javë përpara zgjedhjeve dhe na nxirrni në vendin e parë, atëherë mund të flasim për gjithçka”, thotë Strache në video.
Presidenti i Austrisë, Alexander van der Bellen, kërkoi që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në shtator.
Kancelari Kurz tha se partia e tij është “e tronditur” nga sjellja e Straches, e cila, sipas tij, është “një qasje e gabuar në politikë”.
Skandali e ka dëmtuar reputacionin ndërkombëtar të Austrisë, tha Kurz, duke kërkuar një hetim të plotë dhe duke paralajmëruar se videoja mund të ketë pasoja kriminale.
“Çdo gjë e paligjshme duhet të sqarohet”, tha ai.
Kremlini e mohoi përfshirjen në skandal.
“Kjo nuk ka të bëjë me Federatën Ruse, as me presidentin e saj, as me qeverinë e saj”, tha Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin.
“Ne nuk e dimë se kush është kjo grua, nëse ajo është ruse apo jo”, tha Peskov.
Në vitin 2016, FPO nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me partinë e Putinit, Rusia e Bashkuar. /rel