Çka mbetet tjetër?

Kosova dhe Serbia, për shkaqe të njohura, e kanë njeri-tjetrin peng. Nuk ka si të ndryshojë ky raport gjithsesi i padëshiruar, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd. Pra, Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve është e pashmangshme.

Opinion

09/05/2019 09:57

A mund fare të shpresohet që brenda një periudhe afatmesme kohore, mund njëmend të arrihet Marrëveshja ligjësisht obligative për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, me atmosferën aktuale politike dhe shoqërore që mbretëron në këto dy shtete?

Përgjigjja racionale njeh mohimin e plotë të kësaj mundësie.

Realisht, në gjashtë vitet e fundit, apo që prej se me 19 prill  (të vitit 2013), është nënshkruar Marrëveshja e parë në mes të autoriteteve më të larta të Prishtinës dhe Beogradit, nuk ka pasë raporte më të këqija dhe atmosferë më të rëndë në te dy dkenat dhe ambientet politike, se sa tani.

Gjithçka koincidoi me njëzet vjetorin e fillimit të fushatës së Aleancës Veri-Atlantike (në marsin e vitit 1999), dhe me kulminacionin e luftës dhe të krimeve të Serbisë në Kosovë.

Mënyra se si interpretohen ngjarjet dhe zhvillimet e para njëzet viteve, në Kosovë dhe në Serbi, është një dëshmi sipërore se çfarë është disponimi aktual politik në këto dy shoqëri për ta përmbyllur një histori të gjatë dhe të hidhur që njeh tragjedi të njëpasnjëshme në Kosovë.

Në Serbi është në fuqi mohimi i krimeve të bëra para njëzet viteve.

Në Kosovë po kërkohet javëve të fundit që këto krime të adresohen edhe me krijimin e një Tribunali të veçantë.

Aktualisht pra, është një humnerë e madhe midis Kosovës dhe Serbisë, ndërsa normalizimi i marrëdhënieve figurativisht nënkupton ndërtimin e një ure në mes të këtyre dy shteteve.

Në anën tjetër, këtij përkeqësimi të raporteve i ka kontribuar në masë të madhe edhe konfuzioni i vazhdueshëm politik në Bashkimin Evropian, i cili është llogaritur që ka rol të dyfishtë në bisedimet në mes të përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit.

Së pari, si lehtësues/ ndërmjetësues  (realisht), në këto bisedime, që udhëhiqen që prej vitit 2011 nga EEAS dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së.

Së dyti, si shtytës për të mbërri tek kjo Marrëveshje me ofertën për tu bërë shtet anëtar i BE-së, dhe për të siguruar një stabilitet afatgjatë politik dhe ekonomik të Kosovës dhe Serbisë.

Në rastin e Kosovës, kemi të bëjmë, siç e dimë të gjithë, edhe me krijimin e rrethanave vendimtare që Kosova të njihet edhe nga pesë shtetet tjera të BE-së, dhe që Kosova të anëtarësohet në OKB, ky mirret objektivsht certifikata finale e ekzistencës së një shteti.

Objektivisht pra, thuaja asgjë nuk i shkon për shtati synimeve që Kosova dhe Serbia ta nënshkruajnë, në muajtë në vijim, apo më së voni në vitin e ardhshëm, Dokumentin/ Marrëveshjen Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Megjithatë, teksa thuaja të gjitha elementet e mundshme të cilat në përbashkësinë e tyre bëjnë të mundshme bërjen e një Marrëveshjeje të këtij lloji në mes të dy shteteve/ popujve që kanë pasë një histori të gjatë të konfliktit dhe të përplasjeve, janë të mëdyshura në këtë realitetin ekzistues në relacionet në mes të dy shteteve dhe dy shoqërive, duket që në javët dhe muajtë e ardhshëm do të mund të ketë zhvillime të cilat do ta konfirmojnë domosdoshmërinë e arritjes së kësaj Marrëveshjeje.

Kosova dhe Serbia, për shkaqe të njohura, e kanë njeri-tjetrin peng. Nuk ka si të ndryshojë ky raport gjithsesi i padëshiruar, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, apo, nuk ka mundësi, si për njërën ashtu edhe për tjetrën palë të imponojnë rrethana të reja kur disi do ta ‘shkurorizonin’ fatin e tyre nga njeri-tjetri.

Thjeshtë, diçka e tillë nuk është e mundur.

Në anën tjetër, pas Samitit të Berlinit të 29 prillit, dy kryepolitikanët e Evropës së sotme, Kancelarja gjermane Merkel dhe Presidenti francez Macron, janë shfaqur të vullnetshëm që të kontribojnë, së bashku me BE-në, që të tejkalohet situata e njohur e paralizës së plotë të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbië. Zatën, ftesa për Paris, me 1 korrik, është një vërtetim që tash e tutje, Berlini dhe Parisi do të jenë faktorë në ndërmarrjen ndërkombëtare të zgjidhjes së këtij kontesti të madh në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Më në fund, në këtë kontekstin ndërkombëtarë, dihet që Administrata Amerikane vazhdon të jetë e përkushtuar  (për shkaqe të ndryshme), për ta mbështetur në mënyrë sinjifikative dialogun dhe konkludimin e tij të suksesshëm.

Zatën, dihet që pa SHBA-në, nuk mund të ketë Marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë.