Jahjaga takon përfaqësuesit e 30 universiteteve evropiane në Universum

Sot në Kolegjin Universum, në kuadër të Javës Ndërkombëtare për Staf, ish Presidentja e Kosovës,  Atifete Jahjaga mbajti një bashkëbisedim me përfaqësues të 30 universiteteve të ndryshme evropiane, të cilët po qëndrojnë këto ditë në Kosovë.

Lajme

07/05/2019 16:38

Gjatë takimit, Jahjaga foli për ndërkombëtarizimin e arsimit si mjet për zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës, rëndësinë e përfshirjes së të rinjve, grave dhe grupeve të margjinalizuara në proceset vendimmarrëse në Kosovë dhe rëndësinë e edukimit në fuqizimin e grave dhe arritjen e barazisë gjinore.

Ajo tha se edukimit të vajzave duhet t’i kushtohet rëndësi e veçantë sepse “Kur edukon një femër, nuk edukon vetëm një individ, por edukon një familje dhe një shoqëri të tërë.”

Pjesë e rëndësishme e diskutimit ju kushtua përpjekjeve të Kosovës dhe ish Presidentes Jahjaga, në veçanti, për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe rehabilitimit e integrimit të tyre në shoqëri.

YouTube player

Kjo temë zgjoi interes të madh tek të pranishmit të cilën kërkuan të dinë më shumë rreth planeve të Ish-Presidentes për avokimin ndërkombëtar rreth kësaj çështjeje.

Gjatë ditës, Kolegji Universum organizoi edhe Panairin e Studimeve Jashtë Vendit ku të gjithë të interesuarit patën mundësinë të takohen me stafin e Universiteteve Partnere dhe të njihen me mundësitë për studime me BURSË të plotë në këto Universitete.

Java Ndërkombëtare për Staf mbahet nga 6-10 maj. /Lajmi.net/