Ringjallja e dialogut

Kosova nuk mund dot t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, nëse këtë nuk do ta dëshirojnë autoritetet më të larta të Beogradit. Ky është thelbi i problemit.

Opinion

01/05/2019 16:13

Çka solli Samiti i Berlinit i mbajtur me 29 prill, me nikoqir Kancelaren Merkel dhe Presidentin Macron?

Përgjigja më e sakt është: Samitin e dytë, i cili me gjasë në një format tjetër, do të mbahet në Paris, me 1 korrik, sërish nën ‘Triumviratin’ politik dhe diplomatik të përbërë prej Gjermanisë, Francës dhe BE-së.

Dihet që më parë, kur kërkohej zgjidhja për çështjen e Kosovës, prej vitit 1998 e tutje, kishim Grupin e Kontaktit, si model ndërkombëtarë të adresimit të temës së madhe të Kosovës, pastaj ky Grup, pas pavarësimit të Kosovës, u trashëgua nga Quinti  (pesë shtetet më të mëdha perëndimore), ndërsa tani, a do të thotë që Berlini dhe Parisi, me të cilët do të jetë edhe Brukseli, do të jenë bosht i përmbylljes së problemit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, përmes arritjes së një Marrëveshjeje gjithpërfshirëse?

Autoritetet më të larta të Prishtinës dhe Beogradit, e kanë të qartë tash e sa kohë që BE-ja vet nuk është në gjendje që t’i bindë Kosovën dhe Serbinë për ta bërë Marrëveshjen e madhe të normalizimit të marrëdhënieve.

Vlera reale politike dhe diplomatike e BE-së sot nuk është as gjysma e asaj që ka qenë gjashtë vjet më parë, kur Përfaqësuesja e lartë Catherine Ashton ishte në krye të bisedimeve.

Pastaj, largimi (tutje i padefinuar), i Britanisë së Madhe nga BE-ja, ka dobësuar ndjeshëm rolin e Londrës në këto anë të Ballkanit.

Në ndërkohë, edhe për shkaqe të tjera, Parisi ka vendosur t’i ripërkushtohet Ballkanit Perëndimor, ndërsa nuk ka rast më të mirë për të ushtruar një ndikim të veçantë se sa është ky i bisedimeve të ngecura midis Kosovës dhe Serbisë.

Më në fund, Washingtoni dhe Berlini janë aty ku kanë qenë në kontinuitet, kur është kërkuar ‘Pastrimi i Listës’ së problemeve të mëdha të kësaj ane të Evropës, me motive pak a shumë të njejta. Stabiliteti afatgjatë i Evropës nuk arrihet dot pa i zgjidhur këto probleme, ndërsa krye-çështja përkon me raportet e Kosovës dhe Serbisë.

Takimi i Berlinit, i cili nuk solli befasi  (sepse ka qenë thuaja e pamundur të ketë befasi në rrethanat e sotme në Kosovë, në Serbi dhe në rajon), megjithatë, ka të ngjarë që do të krijojë një situatë më të volitshme për vazhdimin e bisedimeve në mes të përfaqësuesve më të lartë të Prishtinës dhe Beogradit.

Çfarë do të mund të pritej në ndërkohë, në këtë harkun kohor prej tani, e deri me 1 korrik, është një bashkërenditje në mes të Washingtonit, Berlinit dhe Parisit, e cila do të mund të nënkuptonte edhe vizitat e përbashkëta të diplomatëve amerikanë, gjermanë, francezë dhe atyre të BE-së, në Prishtinë dhe Beograd, për të ndërtuar një pozicion më të qartë se çka do të duhej të arrihej në kryeqytetin e Francës, në ditën e parë të korrikut.

Një tjetër Samit pa ndonjë rezultat konkret në bisedimet e këtij lloji, do të mund të kishte domethënien e një dështimi tjetër ndërkombëtarë në gjetjen e modelit bazë për Marrëveshjen ligjësisht obligative në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sidoqoftë, duhet thënë troç që kjo nismë nuk do të çojë në organizimin e një Konference të re ndërkombëtare ku kësaj radhe do të trajtohej tema e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Formati i Konferencave ndërkombëtare ka marrë fund me Rambouilletin  (1999), dhe me Vienën  (2006-2007).

Pastaj, kësaj radhe, kemi të bëjmë me adresimin dhe zgjidhjen e një temë, e cila domosdoshmërisht kërkon, për shkak të vetë natyrës së saj, dakordimin e plotë të te dy palëve, të Prishtinës dhe Beogradit.

Kosova ka mundur të çlirohet nga Serbia, në kundërshtim me vullnetin e njohur të politikës serbe (që i mbushi fushat dhe kodrat e Kosovës me viktima njëzet vjet më parë).

Kosova arriti edhe të bëhet shtet i pavarur, sërish pa pëlqimin e instancave më të larta të Beogradit.

Por Kosova nuk mund dot t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, ndërsa ky është thelbi i bisedimeve në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, nëse këtë nuk do ta dëshirojnë autoritetet më të larta të Serbisë.

Nuk ka Konferencë ndërkombëtare as iniciativë që mund ta ndryshojë këtë logjikë.

Sikurse që nuk ka asnjë argument që konteston konkludimin që nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë pa njohjen reciproke në mes të këtyre dy shteteve.