Prishja me vetëveten

Nëse së paku për pak çaste, të gjithë ne kthehemi njëzet vjet prapa, do të kuptojmë që nuk i kemi punët mirë me veten, dhe që kështu nuk bën më.

Opinion

28/03/2019 10:00

Sporti, muzika dhe filmi, po e bëjnë punën që politika në Kosovë nuk mund ta bëjë.

Përkundrazi. Dihet çka bën politika te ne. Çfarë rezultatesh ka ajo.

Kosova po njihet në Evropë dhe në Botë viteve të fundit më së shumti falë xhudisteve, futbollistave, këngëtareve, artistave, regjisorëve dhe aktorëve.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, një brez i ri i lojtarëve, që në mesatare kanë moshën e lirisë së Kosovës  (njëzet vjet), në dy vitet e fundit ka shënuar rezultate që nuk kanë mundur të imagjinohen dhe ëndërrohen më parë.

Nuk ka dyshim që në muajtë dhe vitet e ardhshme, Kosova do të jetë një reprezentacion shumë i mirë në Evropë dhe në Botë.

Si edhe në rastet tjera të sukseseve të sportistave dhe artistave tonë, ne të tjerët jemi munduar të gjejmë shprehjet e duhura në përshkrim të raportit tonë, si qytetarë, si vend, si shoqëri, me këto arritje të mëdha të tyre.

Kështu, kemi thënë që ata na kanë bërë krenar, na kanë kthyer dinjitetin, na kanë bërë që të tjerët të na respektojnë.

Krenari, dinjitet, respekt. Dhe shumë fjalë dhe cilësorë të tjerë.

Në fakt, duket që ne në ndërkohë, në shumë vitet që i kemi lënë pas, kemi zhvlerësuar dhe kompromituar në plotëni këto nocione, sepse i kemi ‘kolonizuar’, me interpretimet tona të cilat janë munduar që dukuritë, ngjarjet dhe zhvillime që nuk kanë fare të bëjnë me domethënien autentike të tyre, t’i vulosim me këto koncepte.

I kemi flasifikuar ato pra. Kemi mashtruar veten. Kemi degraduar këtë shoqëri, duke i klasifkuar me ‘krenari’, ‘dinjitet’ dhe ‘respekt’, rrjedhat në politikë dhe në shoqëri që nuk kanë të bëjnë asgjë me krenarinë, dinjitetin, respektin.

Është njëlloj si të farkëtosh para të rrejshme. Ato mashtrojnë një kohë, çrregullojnë tregun e mirëfilltë monetar, dhe në fund, nuk dihet kush çfarë vlere ka, apo, ndodhë devalvimi financiar dhe madje, bankrotimi i shtetit.

Kështu ne kemi bërë edhe pothuaj me të gjitha nocionet të cilat poqëse kanë vlerën e tyre të njëmendtë, shërbejnë për stabilitetin politik, kulturor, qytetërues (madje), të një vendi dhe një populli.

Në kohën e mësymjes së madhe historike dhe politike të shqiptarëve të Kosovës për ta marrë në duartë e tyre fatin kolektiv (si popull), nocionet e tilla si Republikë, Kushtetutë, Universitet, Demokraci, kanë bërë themelin politik dhe konceptual të një Lëvizjeje të madhe që do të mbërri tek çlirimi i Kosovës, më pas, edhe tek shteti.

Në njëzet vitet e fundit, kush më pak e kush më shumë prej nesh, kemi hisen në degradimin e këtyre nocioneve. Zhvlerësimi i tyre, nuk ka si mos të reflektohet pastaj edhe në nivelin ku jemi sot, si shtet, si vend, si shoqëri.

Në këtë kontekst, mund të thuhet që ne, ta zëmë, kemi diskredituar dhe korruptuar edhe atë zotimin dhe synimin tonë për ta luftuar korrupsionin.

Në realitet, ne kemi paqe me korrupsionin. Nuk jemi në luftë me te.

Këto ditë, ne po i kthehemi historisë sonë të para njëzet viteve, kur po shënojmë fillimin e fushatës së Aleancës Veri-Atlantike për shpëtimin e Kosovës, dhe një mori të ngjarjeve tragjike kur qindra dhe mijëra shqiptarë të të gjitha brezave, pësuan nga krimet e bëra nga shteti i Serbisë.

Për të gjithë ne që jemi në një mënyrë apo tjetrën pjesë e kësaj historie, kujtimi i këtyre zhvillimeve nuk ka si mos të pasohet me përshkrimet dhe nocionet që bashkojnë martirët, dëshmorët, heroizmin, sakrificën.

Këto nocione dhe këto dukuri kanë siguruar përjetësinë tek të gjithë ne.

Ne të gjallët, të mbijetuarit, mund të gabojmë, mund të keqpërdorim atë histori të përbashkët që na ka bërë të jemi krenarë, të kemi respekt për njeri-tjetrin, të na kthehet dinjiteti këtu dhe në gjithë Botën.

Kjo nuk mund të ndodhë me të gjithë ata që u flijuan në atë pranverën e madhe të Kosovës.

Çlirimi i Kosovës në vitin 1999-në, liria të cilën e gëzojmë tash e njëzet vjet, shteti të cilin e shpallëm me 17 shkurt të vitit 2008-të, si dukuri, dhe si nocione, do të mbijetojnë çdo marrëzi tonë politike, edhe pse ne jemi të pakufishëm në prodhimin e tyre.

Sidoqoftë, nëse së paku për pak çaste, të gjithë ne kthehemi njëzet vjet prapa, do të kuptojmë që nuk i kemi punët mirë me veten, dhe që kështu nuk bën më.

(Autori është kolumnist i rregullt i Lajmi.net)