Chelsea dhe Napoli sigurojnë çerekfinalen, Valencia merr biletë në frymën e fundit
Chelsea, Napoli dhe Valencia janë tre çerekfinalistët e parë në Ligën e Evropës këtë edicion.
Sport
Chelsea e ka demoluar skuadrën e Dynamo Kyiv duke e mposhtur në udhëtim me rezultatin 0:5.
Edhe pas fitores 3:0 në ndeshjen e parë, lojtarët e Maurizio Sarri nuk morën asgjë si të sigurt dhe dhanë maksimumin e tyre edhe në ndeshjen kthyese.
Në këtë takim ishte sulmuesi francez Olivier Giroud ai i cili shkëlqeu duke shënuar tri gola, shkruan lajmi.net.
Nga një gol për skuadrën e Chelsea realizuan edhe mbrojtësi spanjoll Marcos Alonso, i cili shënoi golin e tretë për skuadrën e tij, si dhe Callum Hudson Odoi që shënoi golin e fundit.
Në anën tjetër, edhe përkundër humbjes, Napoli siguroi kalimin në fazën çerekfinale pas dy përballjeve me Salzburg.
Italianët u mposhtën në udhëtimin në Austri, me rezultatin 3:1. Të parët në epërsi kaluan italianët me anë të Arkadiusz Milik. Vendasit u rikthyen me golat e Dabbur, Gulbrandsen e Leitgeb.
Tutje kaloi edhe skuadra e Valencias, e cila falë golit të shënuar në minutën e fundit të takimit, siguroi një biletë për kalimin tutje. Ata sot luajtën baras 1:1 kundër Krasnodar. /Lajmi.net/