Ligjvënësit britanikë do të votojnë për shtyrjen e Brexit-it

Ligjvënësit britanikë do të votojnë sot për të kërkuar leje ose jo nga Bashkimi Evropian për shtyrjen e Brexit-it, apo daljes së Britanisë nga BE-ja, pas datës 29 mars, e cila është e paraparë tash për tash.

Bota

14/03/2019 08:45

Votimi vjen një ditë pasi ligjvënësit refuzuan Brexit-in pa marrëveshje me BE-në.

Kryeministrja britanike, Theresa May, do të bëjë po ashtu përpjekjen e tretë për të nxjerrë edhe një herë në Parlament planin e saj për Brexit.

Ky plan i është refuzuar dy herë nga Parlamenti.

Bashkimi Evropian tha se Britania i ka dy rrugë: të largohet me ose pa marrëveshje dhe shtoi se blloku është i gatshëm për të dyja.

Ligjvënësit britanikë e kanë refuzuar planin e Mayt për Brexit kryesisht për shkak të një barriere fizike në ishullin e Irlandës.

Me këtë barrierë do të garantohej se nuk do të ketë kufi të fortë midis Republikës së Irlandës, e cila është anëtare e BE-së, dhe Irlandës Veriore, e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, edhe nëse nuk ka marrëveshje për tregtinë dhe sigurinë, raporton rel.

Sipas kësaj politike, edhe nëse nuk do të kishte marrëveshje të zbatueshme për çështje të tilla, Irlanda e Veriut do të mbetej në bashkimin doganor dhe në pjesën më të madhe të tregut të BE-së.

Edhe pse BE e ka paraqitur këtë si politikë të përkohshme që ofron siguri, mbështetësit e Brexit-it janë shprehur kundër saj, duke thënë se ajo do ta mbante Britaninë të lidhur ngushtë me BE-në.

Britania ka vendosur të largohet nga BE-ja në një referendum rreth anëtarësisë në vitin 2016.

Ekspertët kanë paralajmëruar se Brexit-i pa marrëveshje do të shkaktonte recesion në Britani dhe do të ngadalësonte rritjen ekonomike në BE.