Rambouillet: Ku ishim atëherë dhe ku jemi sot

Në historinë e çdo populli, vjen ai çasti historik kur duhet marrë vendimin e madh. Humbja e atij momenti, sjell pastaj pasoja të rënda për fatin e atij populli. Atë çka e kemi ditur në Rambouillet njëzet vjet më parë, nuk e dimë tani.

Opinion

07/02/2019 09:47

Këtë të mërkurë, me 6 shkurt, bëhen njëzet vjet të plota nga fillimi i Konferencës së Rambouilletit.

Në shkurtin e vitit 1999-të, Kosova ishte Tema Nr.1 në Evropë dhe në Botë e cila kërkonte zgjidhje urgjente.

Në shkurtin e atij viti, Kosova ishte kryeçështja e politikanëve dhe luftëtarëve shqiptarë të Kosovës.

Në këtë Konferencë ndërkombëtare, Delegacioni i Kosovës, i mbledhur ashtu me të shpejtë, me një legjitimitet historik  (shumë më tepër se me një legjitimitet të mirëfilltë), mori vendim sovran për fatin e qytetarëve të Kosovës, edhe pse nuk ishim shtet dhe nuk kishim institucione të njëmendta demokratike.

Në shkurtin e vitit 2019-të, nuk duhet pasë shumë dije dhe mend për të mbërritë tek konkludimi që këto tri konstatime themelore, mbi të cilat pastaj do të ndërtohej Propozimi i Rambouilletit për paqen në Kosovë, dhe për krijimin e kushteve politike dhe të sigurisë që të mirrej më pas vendimi për statusin e Kosovës, sot nuk qëndrojnë më, apo, nuk janë në fuqi.

Natyrisht, sa për atë konstatimin e parë, mos na raftë më me qenë kryetema ndërkombëtare. Aty mbërrihet udhëve të tragjedive të mëdha. Shqiptarët e Kosovës e kanë të shtruar me tragjedi të njëpasnjëshme rrugën e tyre kah liria dhe pavarësia. Rrëfimi i madh historik dhe politik për ne, për Kosovën, është rrumbullakësuar një herë e përgjithmonë, në vitin 1999, me çlirimin e vendit, dhe në vitin 2008, me shpalljen e shtetit të Kosovës.

Këto dy vlerësimet e tjera, duken paradoksale, të paqëndrueshme, të rënda madje.

Para njëzet vjetësh, Delegacioni i Kosovës, i përbërë nga krahu politik dhe ushtarak, kishte një kokë të vetme, një analizë, një mendim, një qëndrim.

Ky Delegacion, megjithë atë përbërjen e tij, ishte në gjendje  (mbase, për shkak që rrethanat dhe përvoja e viteve të nëntëdhjeta, i kishin bërë të pjekur dhe të baraspeshuar të gjithë), që të vlerësojë në mënyrën më të saktë të mundshme, cili është interesi nacional i Kosovës, si duhet të jetësohet ai, në bashkëpunim me cilët faktorë ndërkombëtarë, dhe në cilën kornizë kohore.

Ishte një ‘Peshore kolektive’ që u aplikua nga ky Delegacion në Rambouillet dhe më pas, në Paris, për ta bërë matjen e duhur, me përgjegjësinë më të madhe të mundshme, të vedimeve që duhej marrë domosdoshmërisht në këtë Konferencë. 

Kjo përgjegjësi u dyzua me një vullnet të qartë politik. Vendimi final i Rambouilletit, duhej të çelte udhë për pavarësimin e Kosovës më vonë, pas disa vitesh, dhe për çlirimin e Kosovës për pak javë, apo disa muaj.

Kur zhvillimet aktuale politike në Kosovë analizohen nga ky pikëshikim, apo, nga organizimi politik, kapaciteti vendimmarrës dhe përgjegjësia e madhe që u ushtrua asokohe nga Delegacioni i Kosovës, në rrethana dhjetërafish më të rënda, më të ndërlikuara se sa sot, atëherë na del që ne sot jemi shumë më pak të organizuar, nuk kemi fare konsensus politik për çkadoqoftë, dhe më në fund, kapaciteti vendimmarrës është reduktuar tej mase, apo, ai nuk përkon me prioritetet që ky shtet i ka.

Politika e sotme kosovare është dyzim i inateve personale të të gjitha llojeve, i partive politike që më shumë funksionojnë si ndërmarrje private apo si konzorcime të komplikuara, se sa si subjekte të mirëfillta politike, është një fushëbetejë e vazhdueshme për rritjen e fuqisë së ndikimit ekonomik dhe i kontrollit mbi institucionet e shtetit.

Nuk ka këtu farë vullneti të qartë se çka duam të arrijmë si shtet, kur duhet t’i jetësojmë këto qëllime dhe cilët janë partnerët për jetësimin e këtyre qëllimeve.

Është një tjetër element që tregon se sa larg jemi ne sot, si politikë kosovare, nga modeli i sjelljes, i mendimit dhe veprimit tonë në Rambouillet.

Në historinë e çdo populli, vjen ai momenti a çasti historik kur duhet marrë vendimin e madh. Humbja e atij momenti, ciladoqofshin arsyetimet për shtyrjen e atij vendimi, apo për dështimin e marrjes së tij, sjell pastaj pasoja të rënda për fatin e atij populli.

Delegacioni i Kosovës e zuri këtë moment historik dhe e mori vendimin e madh.

Ne tani, kur kemi njëqind herë më shumë mundësi për ta kuptuar vlerën e një momenti politik dhe historik i cili imponon vendime shumë të rëndësishme për Kosovën, kemi zgjedhur që të presim çka do të bëhet me ne.