Veseli: Ditëlindjeve të mëdha të popullit tonë iu shtua edhe Ditëlindja e Ushtrisë së Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot në ceremoninë festive me rastin e miratimit të ligjeve për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur, se sot është dita të cilën brezat që do të vijnë do ta kujtojnë me respekt e krenari. Ai tha se kjo ngjarje shënon edhe një ditëlindje tjetër të madhe në vargun e ditëlindjeve të mëdha të popullit tonë, Ditëlindjen e Ushtrisë së Kosovës.

Lajme

14/12/2018 17:24

Kryetari i Kuvendit tha se se kombi shqiptar gjatë ekzistencës së tij, asnjëherë nuk sulmoi askënd, asnjëherë nuk ushqeu ambicie në dëm të të tjerëve dhe në zemrat e pjesëtarëve të tij kurrë nuk zuri vend urrejtja kundër të tjerëve, shkruan lajmi.net.

“Krejt çfarë deshëm ishte të mbrojmë veten tonë, atdheun tonë, dinjitetin dhe lirinë tonë. Dhe për këtë mjafton të kujtojmë dy lëvizjet e fundit historike: Lëvizjen e rezistencës paqësore të viteve ’90-të dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ne e dimë, me siguri dhe pa mëdyshje, por edhe e ardhmja e afërt do ta konfirmojë drejtësinë e plotë të kauzës sonë çlirimtare dhe të gjithë atyre që bartën mbi supet e tyre këtë kauzë. Ne besojmë te drejtësia, sepse ne kemi luftuar vetëm për drejtësinë. Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi në anën e drejtë të historisë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Në vazhdim të fjalës së tij, Veseli shtoi se e ardhmja e Kosovës është e sigurt dhe ka vetëm një emër: integrim në familjen e madhe euro-atlantike.

“Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera perëndimore, të cilat i falënderojmë për ndihmën e pakursyer që i dhanë popullit tonë për lirinë, shtetndërtimin dhe tash për Ushtrinë”, tha Veseli.

Kreu i Kuvendit tha se Ushtria e Kosovës do të jetë vazhdim i këtij përcaktimi human të dëshmuar si popull gjatë historisë, pra një ushtri për veten dhe botën demokratike.

Zbërthyer në terma të sigurisë, shtoi kryeparlamentari Veseli, kjo do të thotë: një ushtri për sigurinë e vendit, një ushtri për stabilitetin dhe paqen demokratike në rajonin tonë, një ushtri në aleancë me NATO-n dhe në shërbim të vlerave të lirisë dhe demokracisë.

Ai tha se Ushtria e Kosovës do ta pasqyrojë vizionin euro-atlantik të shtetit tonë, rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe pasurinë tonë të madhe njerëzore e kulturore: komunitetet etnike të Kosovës.

“Uniforma e Ushtrisë së Kosovës do të jetë uniformë nderi e krenarie për shqiptarët e Kosovës, për serbët, për turqit, boshnjakët, malazezët, romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit e Kosovës. Uniforma e Ushtrisë së Kosovës do të jetë uniformë e paqes, fqinjësisë së mirë dhe Aleancës Veri-Atlantike. Urime të gjithë qytetarëve të Kosovës, kudo që jetojnë e veprojnë në atdhe dhe diasporë”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. /Lajmi.net/