Kulminacioni i çorodisë politike

Njëqind argumente mund të justifikojnë konkludimin që duhet bërë një Delegacion të përbashkët për fazën finale të bisedimeve në Bruksel.

Lajme

30/08/2018 14:02

Kulminacioni i çorodisë politike në Kosovë, e cila përditë e më shumë po merr përmasa të jashtëzakonshme, të dëmshme në të gjitha aspektet e mundshme për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës, duket që do të mbërrihet në vjeshtën e këtij viti.

Ky çrregullim i madh politik në vend, kjo prishje e normalitetit në funksionimin e skenës politike në Kosovë, ka nisë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të vitit 2014, dhe është shprehur në thellimin dramatik të mosbesimit politik  (në mes liderëve dhe partive, por edhe midis vetë qytetarëve dhe politikës në përgjithësi), në paralizimin e vendimmarrjes, në personalizimin e skajshëm të politikës në Kosovë, në depërtimin e popullizmit dhe të patetikës politike, në pamundësinë për tu fokusuar në temat vendimtare për vendin. Poashtu, kjo çorodi politike është shfaqur edhe në trajtë të rënies evidente të ndikimit të SHBA-së dhe të Perëndimit ndër ne. Rasti i demarkacionit të kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, duket se është shembull i mjafueshëm që vërteton këtu se për çka bëhet fjalë, kur kemi të bëjmë me relacionet tona me Perëndimin.

Këtu duhet shtuar menjëherë që nuk është që kemi pasë farë politike të organizuar si duhet as në vitet e mëparme, apo në atë harkun kohor 2008-2014, menjëherë pas pavarësisë dhe deri te kjo pika kthesë  (për të keq). Por me gjasë, në ato vite, ende na ka mbajtur ai vullneti i bërjes së shtetit të Kosovës, që gjithsesi është arritja më e madhe në historinë e shqiptarëve të Kosovës, pastaj, ka pasë dhe faktorë relevantë ndërkombëarë në formë të mbikëqyrjes së pavarësisë (deri në vitin 2012), dhe ende është menduar që si politikë i kemi disa prioritete që duhet patjetër të adresohen dhe të kryhen.

Në rrethanat e tanishme në  Kosovë, ne po përballemi me një përplasje të madhe, që duket gati e pariparueshme, midis domosdoshmërisë së përpjekjes për ta bërë Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë (sepse ky është interes jetik i Kosovës), dhe gjendjes kaotike të skenës politike vendore, ku thuaja gjithçka është pre e momentit, e rastësisë, e llogarive ditore, e konfrontimeve personale të cilat kanë mbërri në shkallë të mosdurimit dhe madje të urrejtjes.

Në njërën anë, të gjithë politikanët në Kosovë bëjnë be që na duhet një unitet politik për t’i dhënë fund këtij rrëfimi të rëndë historik dhe politik, këtij kallëzimi të mundimshëm dhe tragjik me Serbinë, e në anën tjetër, nuk ka vullnet minimal për të mbërri tek krijimi i një Delegacioni të Kosovës, i cili do të ishte gjithpërfshirës, por me mandat të qartë të cilin do ta merrte prej Kuvendit, dhe do t’i ia kthente Kuvendit, në fund të bisedimeve, me Marrëveshjen që do të duhej ratifikuar me votën e së paku 80 deputetëve të tij.

Nuk ka asnjë argument të vetëm pse diçka e tillë nuk duhet të ndodhë.

Edhe kur ka besim që gjithçka mund të shkoj si duhet në këto bisedime të vështira, edhe kur nuk ka fare besim reciprok midis politikanëve tonë, edhe kur ka dyshim që e tëra mund të shkojë mbrapsht, edhe kur ka frikë dhe brengë që mund të ketë probleme të të gjitha llojeve, edhe kur të kihet parasyshë se në çfarë Evrope dhe Bote po jetojmë në dy vitet e fundit, edhe njëqind a më shumë argumente të tjera mund të nxirren këtu, për të mbërri tek konkludimi që duhet bërë një Delegacion të përbashkët që do t’i bënte në një vend liderët insititucionalë dhe ata opozitarë.

Natyrisht, mund të miratohet një Rezolute në Kuvend që mandaton këtë Delegacion. Mundet të përgatiten edhe një mori dokumentesh të tjera që do të tregonin qartë për çfarë bëhet fjalë në këtë proces, apo çka kërkon Kosova të arrijë në fund të tij.

Por, garanca më e madhe që një proces do të ecën si duhet në Bruksel, dhe që në fund, do të mbërrihet një rezultat që do të mund të jetë i pranueshëm për Kuvendin e Kosovës, për qytetarët e Kosovës, dhe do të mund të ishte i zbatueshëm në vend, do të ishte poqëse do të ishin së bashku politikanët kryesorë të këtij shteti.

Ditët e ardhshme do të duhej bërë krejt çka duhet për të mbërri tek krijimi i këtij Delegacioni të Kosovës.

(Autori është kolumnist i rregullt i portalit lajmi.net)